Petrit Kuçana
Është një ndjesi nga ajo më e zymta, ndërsa je i detyruar të shtypësh ato tre germat magjike TIA si destinacionin e fluturimit tënd. Çmendurisht të shtrenjta të shfaqen shifrat e biletave dhe në pak sekonda provon fqinjët, si të gjithë të tjerët.
E merr me nge, provon Podgoricën, Tivatin, Shkupin, Ohrin, Korfuzin. Madje provon edhe kërkimet me në ofertat e biletave me ndërlidhje, nga Italia e madje madje të shfaqen edhe oferta shumë të mira nga Beogradi.
Çmenduria e Rinasit vazhdon të jetë po aq kryeneçe, si gjithmonë, si atëherë kur u pajtuam me “trashëgimninë” e qeverisë Nano, që në heshtje duhet ta pranonim se asnjë aeroport tjetër nuk mund të hapet përveç Rinasit.
Duhet thjesht të pajtohemi edhe pas lajmit të madh, të shumë pritur për miliona shqiptarë se më në fund u hoq e drejta ekskluzive e Rinasit, asgjë nuk ka ndodhur.
U dëgjua një ministër tek thoshte se Aeroportit të Kukësit iu dashkan 2.5 milionë euro për t’u vënë në punë dhe se kjo mbase mund të merrte disa vite.
U kry. Pushimet do të vazhdojnë si gjithmonë, ashtu siç nuk mund të flitet për ndonjë lajm tjetër për Rinasin, përveçse atyre gjëmave ordinere, ku aeroporti grabitet, ku në aeroport largohen kriminelë si pasojë e fluksit…
Nuk mund të mos i krahasosh taksat e Rinasit që i bashkëngjiten biletës, e më kot rikujton ndonjë lajm se sot e kësaj dite nuk dihet kush e “ka marrë” Rinasin, se na qenka ndonjë nga kompanitë fantazmë, nga ato që gjejnë parajsën fiskale në Shqipërinë e etur për investime…
Por pasoja, pra bileta është ajo që dëshmon për shumë gjëra dhe kur gabimisht mendon se Turizmi fillon nga Rinasi, e që refuzon ndonjë nga ato ofertat që kalojnë caqet e parezistueshmes, nëpër shtetet fqinje, ku vlera e biletës për në mëmëdhe është e barasvlefshme me ofertën dy javore të qëndrimit atje, ku përfshihet bileta dhe hoteli.
Patjetër që mirëkupton të gjithë ata që nga Londra e ftohtë “i shtrëngohen” rrugës me makinë mes përmes Evropës, pasi bileta familjare është më e madhe se rroga e dy-tre muajve punë…
E më kot shtrohet pyetja nëse ka ndonjë funksionar ( bir….) që i shikon këto gjëra. Me siguri që biletat e tyre priten nga zyrat, nga sekretaret e tyre elegante, me lekët e taksapaguesve, privilegj posti…
Sikur të ishte ndryshe, mbase Rinasi nuk ishte makthi i madh i shqiptarëve, i atyre të humburve, të ikurve, të treturve, i atyre zogjve të korbit të shpërndarë në të gjitha anët e botës, e patjetër me neveri përcjellim ndonjë lajm nga media e Tiranës se biletat janë në qiell, e mbase ndonjë ditë dikush do i pyesë përgjegjësit shumë thjesht të paktën a u vjen turp dhe patjetër nuk do të ishte aq e rëndësishme përgjigja, por patjetër do të vazhdoni të vinin në mëmëdhe nga vendet fqinjë, e do të refuzonin ofertat çmendurisht të lira për në vendet fqinje për të shkuar drejt mëmëdheut…















