Komunikatë e Shoqatës së Veteranëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Reagojnë ndaj vizitës së Jabllanoviqit në Koshare
Të nderuar familjarë të dëshmorëve të Brigadës 138. “Agim Ramadani”
Të nderuar invalidë, e bashkëluftëtarë të Brigadës 138. “Agim Ramadani”
Të nderuar miqë e dashamirë të Betejës së Kosharës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar bashkëkombas
Portalet e ndryshme, njoftuan dje se karakollin e Koshares e paska vizituar Aleksandar Jabllanoviq, i njohur për opinionin vendor për veprimet e tij nxitëse, gjatë tërë karrierës së tij politike në Kosovë.
Aleksandar Jabllanoviq, në fillim të vitit 2015 nxiti nënat gjakovare me deklaratat e tij dhe për këtë, mori vlerësimin e duhur nga populli i Kosovës, për çka, iu desh të kthehej prapë tek mentori i tij, në Beograd. Ai kishte bërë deklarata bombastike edhe nëpër televizione, se si pjesëtarë të partisë së tij politike (Srpska) paskan “mbrojtur Serbinë në Koshare e Morinë”. Vlerësimin për këtë, më së miri e jep manifestimi “Ditët e Shqipës” çdo fillim prilli.
Prandaj, vizita e Aleksandar Jabllanoviqit në karakollin e Kosharës, duhet të vlerësohet drejtë
– si një orvatje për të kompenzuar mangësitë e tij personale dhe mungesën e bagazhit të tij njerëzor dhe kombëtar. Duke qenë i mitur (tre muaj pa i mbushur 18 vjet) në kohën e Betejës së Kosharës, Jabllanoviq mendon se në këtë mënyrë – duke hedhur gurin e pastaj duke ikur nga vendi i ngjarjes – do të arrij të bëjë njëfarë kompenzimi.
Por, duke pasur parasysh pozitën e tij zyrtare – si Sekretar Shtetëror në Ministrinë për Punë, Punësim, Çështje Sociale dhe të Luftëtarëve, në Qeverinë e Serbisë, kjo vizitë duhet të shqyrtohet edhe në kontekst të asaj që ka ndodhur në Koshare – beteja më e famshme në mes të UÇK-së dhe Ushtrisë së Serbisë, e cila ishte e mbështetur nga njësi të shumta policore e paramilitare, duke përfshirë edhe mercenar rus.
Kjo betejë, paraqet rëndësi të veçantë në luftën për çlirimin e Kosovës dhe posaçërisht, është faktori kryesor në humbjen e rëndë e përbuzëse të forcave serbe. Kosharja është vendi ku u zhduk integriteti territorial i Serbisë, ishte vendi ku u zhduk edhe fizikisht dhe përfundimisht “sovraniteti” i Serbisë në Kosovë.
Kjo vizitë e Jabllanoviqit, mbase do t’i shërbej atij dhe të tjerëve sikur ai, si thirrje për t’u këndellur dhe për të pranuar të vërtetën dhe realitetin.
Shpresojmë që kjo të ndodhë. Megjithëse, historia e tyre, ka dëshmuar se ata janë të gatshëm të vrasin brenda llojit të vet, për të mbajtur gjallë mitet e tyre të rrejshme, siç kanë bërë nëpër histori, e siç bënë edhe me Ivan Stamboliqin e Zoran Gjingjiqin në këtë fillim shekulli. Ky refuzim i realitetit, siç duket, është ende qëndrim zyrtar i politikës serbe dhe së këndejmi, edhe i Jabllanoviqit. Siç kishte bërë pas deklaratës së tij ndaj nënave gjakovare, sikur të kishte dalë nga ndonjë poezi e Desanka Maksimoviq, ai kërkon falje, pa ndjerë kurrfarë pendimi, as pa ndjerë nevojën për t’u përmirësuar. Siç i takon një personi të rritur nën ndikimin e Dobrica Qosiqit, të cilin serbët ende e konsiderojnë si “rilindës” të kombit serb, në shekullin e XX edhe pse “Memorandumi” i tij u dëshmua si produkt shkatërrues për vet serbët dhe Serbinë, Jabllanoviq nuk ngurron të “gënjej nga dhembshuria”. Kjo qasje e sistemit informativ “Milosheviqian” vërehet edhe në njoftimet e mediave serbe mbi këtë ngjarje, të cilët humbjen e rëndë në Koshare, e arsyetojnë me faktin se në Koshare, ushtria serbe paska luftuar kundër forcave shumë më të mëdha të NATO-s.
Por, në kohën kur informacioni nuk është më i kufizuar në mediat e makinerisë së gënjeshtrave, kur njerëzit e rëndomtë kanë qasje në burime të shumëta të informatave të sakta, kjo sjellje e politikajve serb, është bërë karikatur në vetvete. Kjo vërehet edhe në komentet e shumëta, të qytetarëve të ndërgjegjësuar, në fund të secilit njoftim publik për këtë çështje.
Në këtë betejë, ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së, të cilët bëjnë roje të amshueshme,
n’kufi të vjetër. Këta djem e burra, janë shëmbëlltyr e luftëtarëve të lirisë dhe flijimit për atdhe dhe për komb.
Jabllanoviqi fton serbët që të vizitojnë këtë
“pikë krenarie” të kombit serb, për të nderuar ata që janë vrarë në këtë betejë. Duke kuptuar dhimbjen njerëzore të prindërve e familjarëve, për ushtarët e vrarë në këtë betejë, ne nuk do të ndjehemi asnjëherë në faj për humbjen e tyre. Fajtorin ata duhet ta gjejnë në traditën e vet kombëtare dhe në pretendimet e veta ekspansioniste, në dëm të kombeve tjera, gjatë tërë historisë së tyre. Historia e tyre ka plot raste të veprave “madhore”(deri edhe të vrasjes së fëmijëve të vet), për të arritur një qëllim të caktuar politik, sadoqë ai qëllim të jetë shkurtpamës e shkatërrues për
vet ata. Në Koshare janë vrarë 108 ushtarë e policë të armikut, duke mos llogaritur këtu edhe
paramilitarët dhe mercenarët. Aleksandar Jabllanoviq qenka përkulur buzë gërmadhës së karakollit të Kosharës, për të nderuar “heronjtëdz
e vet, të kësaj beteje, të cilën serbët e quajnë
–”Beteja e dytë e Kosovës”, duke e krahasuar me humbjen e madhe që kanë pësuar para 627 viteve.
Shqipëtarët, me traditë dhe histori, janë popull dashamirës dhe paqedashës. Por, këto virtyte, si duket, edhe kohëve të fundit, nga eksponentë të Qeverisë së Serbisë, merren si shenja të dobësisë dhe përuljes.
Gjatë kohës sa ka qëndruar në Qeverinë e Kosovës, Jabllanoviqi mundë të ketë krijuar përshtypjen e gabuar, por, nderimi i armikut, në kohë paqeje, është shenjë e burrërisë dhe trimërisë, për dallim prej vrasjes pas shpine e në tradhëti.
Ka pasur delegacione zyrtare nga Serbia edhe më parë në zonën e luftimeve në Koshare, për arsye të ndryshme, duke respektuar protokollet e caktuara ushtarake. Por, do të duhet të jetë e qartë për Aleksandar Jabllanoviqin dhe për këdo tjetër, se mirësjellja dhe dashamirësia janë vetëm për miqtë dhe nuk mundë të vlejnë për okupatorin dhe njerëzit të cilët e shkelin besën e dhënë. Të jesh paqedashës, nuk do të thotë se do të durosh përbuzjen dhe përdhosjen. Në Koshare, nuk ka asnjë varr të ushtarëve
serb, e nuk do të ketë asnjëherë ndonjë lapidar, mbi të cilin gjenerata aktuale politike e Beogradit, do të mundë të ndërtonin ndonjë mit të ri, për gjeneratat e shekullit të ardhshëm, siç kanë bërë në të kaluarën, duke keqpërdorë mirësjelljen dhe dashamirësinë shqiptare.
Aleksandar Jabllanoviq ka vizituar karakollin e Kosharës në cilësinë e zyrtarit të Serbisë, i ngarkuar me “çështje të luftëtarëve”. E qartë se këtu bëhet fjalë për të ashtuquajturit “luftëtarë”
të cilët kanë dhunuar gra të pambrojtura, kanë vrarë civilë, gra, fëmijë, e njerëz të pafajshëm, jo vetëm në Kosovë, por anekënd ish-Jugosllavisë. Është e qartë se ky veprim i tij, është në vazhdën e nxitjeve që vijnë nga shteti fqinj,
mbase të trimëruar nga zhvillimet e fundit politike në Evropë.
Ndonëse në formë të heshtur, ai dje ka pranuar se “ushtria hyjnore” ka pësuar humbje të rëndë në Koshare. Për ta ndihmuar në këtë drejtim, ai mundë të mësojë nga ata që e kanë vizituar këtë vend përpara tij, e sidomos, të mësojë nga ata, të cilët dikur, ikën nga ky vend për të shpëtuar kokën, në mënyrë aspak krenare as hyjnore.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, do të duhet të sqarojnë kush i dha leje Jabllanoviqit për një vizitë të tillë, ngase Aleksandar Jabllanoviq, me sjelljen e tij prej cubi, që nuk përkon me dinjitetin e një zyrtari, e as me burrërinë për të cilën ai pretendon, nuk ka respektuar kurrfarë protokolli zyrtar, qoftë ushtarak, apo diplomatik dhe për këtë, duhet kërkuar përgjegjësi.
Si i tillë, ai e ka bërë veten person të padëshiruar në hapësirën e Kompleksit Memorial të Kosharës. Të tillë do ta konsiderojnë atë luftëtarët e kësaj beteje, invalidët, familjet e dëshmorëve.
Ne, të cilët, me luftë e hoqëm flamurin e Serbisë nga shtiza në Koshare, më 10 prill 1999. do të kujdesemi që ai flamur nuk do të ngritet më asnjëherë.
Për shkak të veprimeve të tij nxitëse, për shkak të shfaqjes së hapur dhe të vazhdueshme të mos-respektit për historinë e këtij vendi dhe për pasojat që kanë lënë prapa “luftëtarët”
e tij, të padëshiruar do të duhej ta shpallë Jabllanoviqin edhe Qeveria e Kosovës, për tërë territorin e Republikës së Kosovës.















