Fatos Lubonja ka bërë thirrje sot për miratimin e reformës në drejtësi sipas të njëjtit parim që ai bëri thirrje në vitin 2013 për rotacion të pushtetit: Për arsyen se sq më shpejt të zhgënjehen shqiptarët nga kjo ëndër, ashtu sikurse u zhgënjyen nga Rilindja e Ramës, aq më mirë do të jetë.
“Tani po bëj edhe një herë Kasandrën dhe po them se edhe reforma në drejtësi duhet miratuar, sa më parë, për të njëjtën arsye. Pra, jo se ka shpresë se pas asaj reforme ne do të kemi më shumë drejtësi, apo se do të shpëtojmë nga skota e hajdutëve, mashtruesve dhe arrogantëve që kanë ndërtuar republikën e të padrejtëve të Shqipërisë.
Jo, thjesht për të fituar kohë. Reforma në drejtësi, pra, duhet aprovuar sa më parë, në mënyrë që, me padrejtësitë edhe më të mëdha që do të sjellë, të na ndihmojë të ndërgjegjësohemi më shpejt se nuk mund të kërkosh drejtësi nga kjo skotë që pushtetin e ka ngritur pikërisht mbi themelet e padrejtësisë” shkruan ai në një opinion në gazetën Panorama.
Por sipas Lubonjës problemi është se kundër këtij ndërgjegjësimi punojnë përditë “detashmentet e partive”, “gazetarët në shërbim të tyre”, “simpatizantë miopë” dhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin.
Por sipas tij ata ‘… e shkëpusin atë nga i gjithë konteksti shqiptar; se si, për shembull, nuk i dëgjojmë të flasin për drejtësinë apo padrejtësinë duke iu referuar skandaleve të përditshme të qeveritarëve tanë.
A i keni parë të thonë një fjalë për padrejtësinë e madhe (në fakt krimin) që shtetarët tanë më të lartë kanë bërë duke bashkëpunuar me trafikantët e drogës e vrasësit duke i futur deri në Parlament? Unë jo. A i keni parë të thonë një fjalë se si policia përdoret për të rrahur protestuesit edhe pse këta janë në rregull me ligjin, kurse pushtetarët janë kundra ligjit? Unë jo.
A i keni parë të thonë një fjalë se si në Shqipëri Ministria e Brendshme sjell aparate përgjimi duke i kaluar ato pa doganë dhe pa marrë lejen e Prokurorisë? Unë jo. I dëgjojmë të flasin vetëm për gjyqtarë të korruptuar dhe për ndoca kriminelë ordinerë, por jo për bashkëpunëtorët e tyre në pushtet (të djeshëm dhe të sotëm).
Aq sa s’merret vesh nëse nuk e kuptojnë apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë se në fakt po punojnë për t’i varur mëlçitë e drejtësisë pushtetit të më të fortëve në qafë” thotë Lubonja I cili arrin në konkluzionin: ” Megjithatë, unë mendoj se reforma duhet të ndodhë. Duhet t’i shohim mëlçitë tona në qafa pushtetarësh arrogantë dhe brutalë, edhe më të çapëluara se ç’i kemi parë deri më sot, që të mësojmë të mos ua varim ato ujqve në qafë”.















