Analisti Fatos Lubonja ka hequr sërish dorezat duke komentuar shembjen e fasadës së stadiumit “Qemal Stafa”. Sipas tij ky është një akt krimnal që mund ta kryejnë vetëm njerëz me 4 karakteristika.
“Që të kryesh një akt kriminal, si shkatërrimi i stadiumit “Qemal Stafa”, pjesë integrale e Ansamblit të Bozios, i mbrojtur edhe me ligj si monument kulture, nuk është e lehtë. Që të kryhet kjo punë, duhet që autori/ët të ketë minimalisht katër karakteristika: Së pari, duhet të jetë thellësisht injorant. Së dyti, thellësisht i korruptuar. Së treti, thellësisht mashtrues e i paturp. Së katërti, thellësisht sociopat, delirant megalloman. Pa çdonjërën nga këto karakteristika, ajo masakër nuk do të mund të kryhej. E megjithatë, këto janë vetëm kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Sepse, që të kryhet ky akt, duhet edhe një karakteristikë tjetër e rëndësishme: autori duhet të ketë pushtet. Madje të jetë jo më pak se Kryeministër i Shqipërisë dhe këtu vjen e ngatërrohet problemi i autorësisë së këtij krimi” –shkruan Lubonja në një editorial në gazetën “Panorama” duke vijuar: “Vërtet ky krim s’mund të ndodhte pa një sociopat si Edi Rama, që po i manifeston përditë e më rëndë karakteristikat që rendita, por problemi është se në këtë vendin tonë kjo kategori njerëzish, shoqërisht të rrezikshëm, që normalisht duhet të përfundojnë në spital, në burg apo në fundërrinat e shoqërisë, te ne bëhen kryeministra, ministra e me radhë, pra arrijnë të ngrenë një strukturë pushteti – shkruan Lubonja.
Lubonja thotë se ai nuk është i vetëm në këtë krim pasi ka edhe bashkëpunëtorë që i binden. Ai ka komentuar reagimin e Artan Lames dhe ministres Kumbaro. Ai e vlerëson “ndjesën” e Lames që edhe më herët ka shfaqur kundërshtime për gjëra që nuk i kanë pëlqyer te Rama, megjithatë kjo mbetet shumë pak për të ndalur Ramën.
“ …Thënë gjithë kjo, nuk mund të mos e pyes Lamen: Në emër të kujt kërkon ndjesë, o njeri: të vetes, të Rilindësve apo të sociopatit që vazhdon ta mbash mbi supe? Mos do të na thuash: Ndjesë se i shkreti nuk di se ç’bën? Dhe pastaj: Për çfarë kërkon ndjesë, o Lame? Që u prish stadiumi, që ke punuar e punon për pushtetin këtyre që e prishën, se ndihesh prandaj edhe përgjegjës apo për çfarë? Sepse nuk na mjafton vetëm një fjalë. Përndryshe, ndjesa jote mund të na tingëllojë edhe thjesht si larje goje apo duarsh. Shpresoj se e ke kërkuar sepse direkt apo indirekt, me mbështetjen që i ke dhënë e i jep, ndihesh edhe ti përgjegjës për këtë masakër. Sepse, sikur ti dhe Shkreli e shumë të tjerë, anëtarë të Forumit tënd të Trashëgimisë, që Rama s’mund t’i akuzonte dot si njerëz të Berishës, siç bën zakonisht për të mbuluar krimet e veta, të kishit protestuar, siç protestuat te Rruga e Elbasanit, kur prishi fasadën e Kryeministrisë dhe interiorin e katit të saj të parë, apo duke dhënë dorëheqjen kur ky vendosi të prishë stadiumin, ky krim s’do të ishte kryer ndoshta. Kurse me heshtjen dhe nënshtrimin tuaj ia lehtësuat punën, i hapët rrugën kësaj masakre dhe shumë të tjerave. Dhe kjo është çështja e çështjeve sipas meje, kur na duhet të flasim për autorësinë e këtij krimi” – shkruan Lubonja.
Ndërsa për ministren e Kulturës, Lubonja është mjaft i ashpër.
“Reagimi që flet më shumë se çdo tjetër se nuk duhet e nuk mund t’ua lëmë përgjegjësinë ligjore dhe morale vetëm disa injorantëve të babëzitur e të çmendur, ishte ai i ministres së Kulturës, që drejton institucionin që e paguajmë për mbrojtjen e trashëgimisë. Pas shembjes së fasadës, ministrja kërkoi të na shpëlajë trutë duke shkruar në Facebook për historinë, sipas saj, “fantastike”, të “tempullit Abu Simbel” që medemek paska “ndryshuar vizionin e ruajtjes së trashëgimisë në pajtim me zhvillimin e modernitetit”” – shkruan Lubonja.
“E kam shkruar edhe herë tjetër: këta rilindësit janë raca më bastarde e politikanëve që kanë nxjerrë këta 25 vjet, sepse këta, pasi të vjedhin e mashtrojnë sy ndër sy, duan edhe të të tallin e të thonë se je një leshko, që nuk e kupton se ata në fakt po punojnë për të mirën tënde, sipas vizionit më modern që ekziston në botë. Ministres do t’i mjaftonte një lexim i ligjit dhe rregullores së trajtimit të monumenteve të kulturës për të mos lëshuar mufka mashtruese të tilla që, përveç të tjerave, rrezatojnë edhe injorancë të madhe në punën që kryen” –shkruan ndër të tjera Lubonja që më pas citon ligjin për monumentet e Kulturës. Lubonja bën në fund të komentit për “Panorama” një apel për ata që kanë heshtur që të reagojnë.
“Pa bashkëpunimin e kësaj kategorie “të heshturish”, një individ i vetëm, sado i lig e i marrë qoftë, sado të poshtër t’i ketë bashkëpunëtorët e ngushtë, nuk do të guxonte as ta gërvishtte atë monument kulture dhe jo më ta shembte. Prandaj, duke e përgjithësuar problemin, gjykoj se, që të çlirohemi nga ky regjim ku na sundojnë injorantët, të korruptuarit, mashtruesit dhe të çmendurit, duhet të reflektojmë të gjithë më thellë, mbi atë se ata nuk do të mund ta merrnin kurrsesi pushtetin e të kryenin krime të tilla, që, në thelb, janë krime kundër dinjitetit dhe lirisë sonë, pa bashkëpunime të tilla të njerëzve që shohin vetëm se si t’i përshtaten maskarallëkut dhe jo se si ta sfidojnë dhe ndryshojnë atë” – e mbyll Lubonja.
Titulli i origjinalit: Mbi autorësinë e krimit ndaj stadiumit “Qemal Stafa”






















