Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petriti Vasili kritikoi dje projekt-buxhetin e qeverisë për vitin 2015. Në një seancë pyetjesh me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj të zhvilluar gjatë seancës së djeshme plenare, Vasili ngriti shqetësimin se projekt- buxheti nuk përfshin fondin për biznesin fason që parashikohej në një vlerë prej 5 milionë dollarësh. Madje ai shtoi se ky fond punësimi jo vetëm që nuk është shtuar, por ai është edhe më i vogël se viti i kaluar, nga 2.7 në 2 milionë dollarë parashikuar për vitin 2015. Në përgjigje të shqetësimeve të Vasilit, ministri Ahmetaj tha se brenda pak muajve që nga miratimi i paketës mbështetëse për industrinë fason ka pasur rritje punësimi, ngritje ndërmarrjesh të reja, por edhe interes nga të huajt për të ngritur fabrika të reja në Shqipëri. Ai shtoi se që nga prilli deri tani nga 32 masa që përfshin paketa, janë realizuar 23 masa.
Seanca e pyetjeve
“Deri tani, nga 32 masa që përfshin paketa, janë realizuar 23 masa, ndër to 14 akte ligjore, vendime qeverie si edhe vendimi i qeverisë për çmimin e tokës për qiratë dhe ato me emfiteozë me tarifë simbolike 1 euro”, – deklaroi Ahmetaj në përgjigje të shqetësimeve të Vasilit, duke shtuar se MZHETS-ja ka lidhur deri tani dy kontrata qiraje për industrinë fason, 2 të tjera janë në proces, ndërsa janë në konkurrim dhe 3 kompani të tjera. Ministri parashtroi 3 programet që janë zbatuar sivjet me mbështetje financiare 36 milionë lekë, ndër të cilët Fondi i Konkurueshmërisë me 20 milionë lekë, ku përfitues janë 19 biznese, Fondi i Novacionit ku janë miratuar 27 projekte me grantin prej 19 milionë lekësh dhe Fondi për Industrinë Kreative, ku 13 kompani kanë përfituar 6,1 milionë lekë. “Nga këto fonde përfitues sivjet janë dhe 11 kompani që operojnë në fushën e industrisë fason”, – tha ministri i Ekonomisë, duke shtuar se 60% të fondeve të punësimit i kanë përfituar bizneset fason. “Këto fonde janë më të mëdha nga vitet e tjera”, – tha ministri, duke premtuar fonde më të mëdha në vitin 2015. Sa i përket TVSH-së ai tha se, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për periudhën janar – tetor 2014, nga 86 kërkesa për rimbursimin e tatimit të vlerës së shtuar të paraqitur nga subjekte fasone, për 82 kërkesa ka përfunduar procesi i rimbursimit. “Janë në proces shqyrtimi në bazë të ligjit, 12% e totalit”,- tha Ahmetaj. Por kreu i deputetëve të LSI-së ndërsa vlerësoi nismën për mbështetjen e fasonëve të miratuar që në prill, tha se në projektbuxhet nuk janë parashikuar fondet e premtuara financiare për të garantuar punësimin. “Fondi i tregut të punës është rreth 2 milionë dollarë. Jo vetëm që nuk është shtuar 5 milionë dollarëshi, që duhet të ishte këtu shtesë për industrinë fasone, jo vetëm që nuk është zë më vete, por është edhe më i ulët se një vit më parë, që ka qenë 2.7 milionë dollarë.
Duke qenë se theksi kryesor ka qenë dhe mbetet efekti i punësimit dhe promovimi i fortë që ne i kemi bërë kësaj çështjeje lidhet pikërisht me këtë problem, ky mosvlerësim dhe kjo moskorrektesë sigurisht që është shqetësim madhor, sepse do të komprometonte thelbin për të cilin nisma u mor dhe për të cilin ishte perceptuar si e tillë, si gjenerator i punësimit në Shqipëri. Këtë gjë e verifikoi dhe praktika, pavarësisht skepticizmit të fillimit, kur ne bëmë një propozim të tillë”, – tha Vasili. Sipas tij, një problem tjetër i rëndësishëm është çështja e TVSH-së. “Nga shifrat operative që unë i kam të freskëta, referimet nuk janë saktësisht ato që paraqiti ministri, përkundrazi janë të tilla: totali i aplikuesve është 103, të miratuar janë 70 dhe vlera e kërkuar është 531 milionë, ndërsa vlera e likuiduar është vetëm 260 milionë. Pra, nga një TVSH që kishte objektivin të ishte një TVSH automatike, ndodhemi në një vlerë likuidimi që është te 50%- shi dhe shumë larg objektivit tonë për këtë çështje”, – tha ai. Vasili kërkoi dhe rishikimin masave për zbatimin e ligjit “Për sistemin e taksave vendore”, dhe kryerjen e amendimeve nëse do të jetë e nevojshme. Sa i takon ligjit për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave të caktuara, Vasili deklaroi se ky element nuk ka të bëjë me biznesin fason.















