Ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, i cili po qëndron në një vizitë të shkurtër në Kosovë, ka bërë publike një zbulim të cilin as vetë nuk e ka ditur kur ka intervenuar në Kosovë.
Lord Robertson ka zbuluar para studentëve të Kolegjit “Univerzum”, në Prishtinë, se ka prejardhje shqiptare nga ana e familjes së babait. Ai ka thënë se një test i ADN-së të cilin e kishte bërë kohë më parë, ka zbuluar se një përqindje e gjeneve të tij nga ana e babait janë shqiptare.
Robertson ka thënë se për këtë nuk ka qenë në dijeni sa ishte sekretar i NATO-s, por ka shtuar se ky fakt e lidh edhe më shumë me Kosovën.
Gjatë bisedës me studentët, Robertson ka folur me admirim për të arriturat e shtetit të Kosovës që nga viti 1999 deri sot. Ai gjithashtu foli për disa momente shumë të rëndësishme që çuan drejt intervenimit të NATO-s në Kosovë, duke e përsëritur thënien: “Serbët jashtë, NATO të intervenojë, refugjatët të kthehen në shtëpi” (“Serbs out, peacekeepers in, refugees back”).
Gjatë ligjëratës, Robertson nuk ka lënë pa folur edhe për përgjegjësinë e rinisë kosovare, duke kërkuar nga ata që të jenë më vigjilentë dhe më këmbëngulës në përmirësimin e jetës në vend.
Ai ka kërkuar nga të rinjtë që të ardhmen ta ndërtojnë në Kosovë dhe jo përmes migrimit në vendet perëndimore.
“Mund të ikni dhe ta varfëroni vendin, apo mund të qëndroni dhe ta ndërtoni shtetin tuaj”, ka thënë Robertson, raporton Koha.net.
Në fund, Lordi Robertson ka thënë se gazi lotsjellës dhe dhuna ndaj ndërtesave të institucioneve nuk është zgjidhje.
Ai ka thënë gjithashtu se është përgjegjësi e politikanëve kosovarë që të parandalojnë korrupsionin, nëse dëshirojnë që ky vend, me miq të shumtë nga e gjithë bota, të përparojë dhe të integrohet në BE dhe NATO.
















