Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama pati një reagim të prerë dhe të papritur sot kundër qeverisë Rama, ku është pjesë edhe partia e tij.
Rama, duke folur nga foltorja e LSI-së, ku zakonisht bëhen njoftimet zyrtare të partisë kritikoi atë që sipas tij ka qenë një mosreagim i qeverisë për një raport tejet negativ i FMN-së për ekonominë e vendit: “Kur FMN nuk lexohet me seriozitet, ka krizë. Kujtoj këtu krizën e vitit 1997 apo kriza të tjera. Për LSI-në, rekomandimet e FMN janë shumë të rëndësishme. Për Shqipërinë ka shumë rëndësi transparenca fiskale. Qeveria duhet të reflektojë me seriozitet”, – tha Rama me tone thuajse kërcënuese.
Por ndaj këtij qëndrimi reagoi menjëherë kryetari i grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, i cili u përpoq t’i minimizonte akuzat e forta duke thënë se: “Qëndrimi i z. Luan Rama lidhur me raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk është një qëndrim zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është një lexim individual i tij i këtij raporti”.
Kjo sjellje rikthen në mendje një analogji me pasoja domethënëse në skenën politike, kur në vitin 2009, Dritan Prifti, asokohe anëtar i LSI, lëshoi akuza të rënda ndaj Edi Ramës dhe parlajmëroi bashkimin e LSI me Berishën, çka ishte preludi i një qeverisjeje 4 vjeçare mes dy forcave.
Edhe asokohe kryetari i Lsi Ilir Meta u përpoq t’i zbuste gjërat duke thënë se deklarata e Priftit ishte një qëndrim personal i tij. Meta u shpreh se nuk do të kishte asnjë qëndrim në lidhje me koalicionet paszgjedhore deri në përfundim të procesit të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar, ama koalicioni u bë dhe ky është një fakt.
A mos jemi edhe kësaj here në prag të prishjes së marrëdhënieve mes PS dhe LSI për herë të dytë apo të tretë që kur këto parti drejtiohen nga Edi Rama dhe Ilir Meta?















