Lista “Srpska” megjithatë vë kushte për votën e deputetëve të saj për kandidatin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.
Bartësi i listës, Aleksandër Jabllanoviq, ka thënë se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ndërprerja e procesit të privatizimit në këto komuna janë kushte kryesore për dhënien e votës së deputetëve të Listës.
“Ne kemi detyrim që për komunitetin serb të bëjmë një hap më tutje, me qëllim të përmirësimit të së ardhmes. E këtë nuk mund ta arrijmë nëse merremi me çështje personale, gjegjësisht me pozitat ministrore që mund t’i kemi. Lista ‘Srpska’ ka një qëllim – përmirësimin e gjendjes së serbëve, e cila është e mundshme vetëm me një zhvillim ekonomik, i cili arrihet vetëm nëse ndërpritet procesi i privatizimit në vendet me shumicë serbe, tjetër çështje e cila është shumë e rëndësishme është që në një kohë sa më të shpejtë të formohet asociacioni i komunave të Kosovës, më pastaj kthimi i të zhvendosurve, dhe të kthehen pronat e Kishës ortodokse serbe e konfiskuar që në kohën e komunizmit”, theksoi ai, raporton RTK.
Jabllanoviq thotë se Lista ‘Srpska’ nuk ka të preferuar për Kryeministër dhe ka shtuar se deputetët e kësaj liste do të mbështesin cilindo që ndihmon në mbrojtjen e interesave nacionale të serbëve.
Ai ka pohuar se vendimi për votimin në Kuvendin e Kosovës do të merret në konsultim me shtetin e Serbisë.
















