AT&T do të paguajë 107. 5 dollarë për aksion për një total prej 85.4 miliardë dollarësh, nga të cilat gjysmat kesh dhe gjysmat në letra me vlerë, e për të funksionuar operacioni ka siguruar një borxh prej 40 miliardë dollarësh nga JpMorgan dhe Bank of America.
Pas mbylljes së procedurave, aksionerët e Time Warner do të kenë 14.4 deri në 15.7 përqind të aksioneve. Shifra e siguruar i kalon pritshmëritë për Time Warner, që kërkonte 100 miliardë dollarë përfshirë edhe borxhin.
Vlera tejkalon edhe propozimin e 2 muajve më parë të Rupert Murdoch, prej 85 dollarësh për aksion. Por, ndërsa kompanitë janë entuziaste për shkrirjen, kritikët paralajmërojnë për rrezikun e një përqendrimi të madh të pushtetit mediatik.
Marrëveshja duhet të aprovohet nga Departamenti i Drejtësisë dhe 2 shoqëritë shpresojnë të marrin autorizimin e nevojshëm brenda 2017.
Megjithatë rruga nuk do të jetë e lehtë, veçanërisht në një vit elektoral. Kandidati republikan Donald Trump ka thënë se nën administratën e tij një marrëveshje e tillë nuk do të aprovohej, pasi sipas tij kërcënon demokracinë, shkruan Top Channel.






















