Trajneri i Gjermanisë thotë se tifozët duan që lojtarët më të mirë të ndeshen mes tyre dhe se i vjen keq që Nejmar Juniori dhe Tiago Silva nuk do të jenë në fushën e lojës
Gjermania do të kërkojë të shkojë në finalen e parë të një Kupe Bote që pas vitit 2002, kur ishte pikërisht Brazili që u kurorëzua kampion bote në Kore të Jugut dhe Japoni, në dëm të “pancerave”.
Në të njëjtën kohë, Gjermania kërkon të shmangë një tjetër humbje në gjysmëfinale, që do të ishte e treta radhazi për ta, ndërsa fitorja do të ishte hapi i parafundit drejt kurorëzimit të një titulli të madh, i cili i mungon që prej europianit “Angli ‘96”.
“Kemi qenë të paktën në gjysmëfinale në katër botërorë radhazi dhe kjo tregon se kemi luajtur në nivele të larta prej shumë vjetësh,” thotë trajneri Joakim Lëv (Joachim Löw) në një intervistë për faqen on-line të Federatës Gjermane të Futbollit (Deutsche Fussball Bund-DBF).
“Është diçka e rrallë dhe e mrekullueshme. Prej kohësh ëndërroj përtej saj dhe çdo lojtar në skuadër e do finalen. Mendoj se edhe gjermanët ndjehen kështu si ne. Duam me çdo kusht të luajmë në finalen e “Marakanas” në Rio de Zhaneiro më 13 korrik. Nuk kemi mbyllur ende asgjë”!
Gjermania e mbylli grupin në vend të parë me shtatë pikë, ndërsa më pas eliminoi jo pa vështirësi Algjerinë dhe në çerekfinale kaloi pa shumë vuajtje Francën.
“Ne e dimë sesa i fortë është Brazili. Ata kanë qenë favoritët kryesorë që në fillim të veprimtarisë. Ata treguan se çfarë mund të bëjnë në Kupën e Konfederatave sezonin e shkuar dhe duket se nuk e vuajnë presionin.
Ne do të mendojmë një plan të atillë që të dhurojmë një betejë të fortë kundër Brazilit. Ne kemi mundësitë tona dhe do të kërkojmë t’i shfrytëzojmë ato”.
Brazili tashmë nuk do të ketë në disopzicion sulmuesin Nejmar Junior dhe mbrojtësin Tiago Silva. Joakim Lëv thotë se i vjen keq që dy lojtarë të një kalibri të tillë nuk do të jenë në fushën e lojës.
“Të gjithë duan që të shikojnë lojtarët më të mirë të përballen me njëri-tjetrin.
Të vjen keq që Brazili nuk do të ketë dy lojtarët më të mirë, por ata janë në gjendje t’i mbulojnë rolet e tyre. Më vjen jashtëzakonisht keq për Nejmarin.
Ai është një lojtar i mrekullueshëm dhe është një fatkeqësi për të, për skuadrën dhe për të gjithë kombin që nuk do të jetë në fushën e lojës” – përfundoi trajneri i Gjermanisë, tre herë kampione e botës, Joakim Lëv.















