Kreu i BDI-së e bëri deklaratën pas një takimi të zhvilluar me ambasadorin amerikan në Shkup mbi situatën në vend pas shqiptimit të vendimit për çështjen “Monstra”
Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka biseduar me ambasadorin amerikan në Shkup Pol Uolers (Paul D. Wohlers) mbi protestat që pasuan dhënien e vendimit me burgim të përjetshëm për gjashtë shqiptarët e akuzuar në çështjen “Monstra”
Sipas portalit “Zhurnal.mk”, në takimin që zgjati për më shumë se dy orë, Ahmeti e Uolers vlerësuan të drejtën e protestës si një e drejtë demokratike, por theksuan se dhuna nuk mund të sjellë asgjë pozitive.
“Sot kisha një takim mjaft të rëndësishëm me ambasadorin e SHBA-ve, ku bashkarisht vlerësuam se e drejtë e çdo qytetari është të protestojë, e drejtë legjitime është që të gjithë të shfaqin pakënaqësi për procese të caktuara, që këto procese të jenë sa më transparente dhe sa më të besueshme për publikun, për gjithë opinionbërësit. Gjithashtu vlerësuam se dhuna nuk e ndihmon procesin, nuk ndihmon në zgjidhjen institucionale që ky proces të jetë sa më bindës për Gjykatën e Apelit me qëllim që ky zhvillim të rikthehet në shkallë të parë”, është shprehhur Ahmeti.
Ai ka njoftuar ambasadorin Uolers se BDI do kërkojë monitorim nga ekspertët ndërkombëtarë dhe vendorë, me qasje të plotë në të gjithë procesin dhe procedurat, për rastin “Monstra” që opinioni të jetë në mënyrën më transparente i informuar.
















