“Ishte shumë e qartë se Thaçi ishte i përzgjedhuri dhe që nuk do të akuzohej për aktivitetet e tij kriminale. Megjithatë, ai kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në grumbullimin e haraçit, kontrabandën e drogës, femrave, armëve dhe kontrabandat e të gjitha llojeve”, shpjegonte ish-shefi i Policisë së UNMIK-ut.
E përditshmja franceze “Le Figaro” thotë se Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi ka gjasa të akuzohet nga Gjykata Speciale.
“Emri i presidentit Hashim Thaçi i cili duhet ta marrë funksionin në prill është lakuar në fund të vitit 2010 në raportit e Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori zvicërian Dick Marty”, nënvizon artikulli i botuar të martën, raporton Insajderi.
Prestigjiozja franceze citon ish-shefin e Policisë së UNMIK-ut, kapitenin kanadez Stu Kellock, që gjatë një intervistë për televizionin shtetëror serb kishte deklaruar se kishte dyshime që qarkullonin mbi Hashim Thaçin, por “se ai gëzonte pandëshkueshmëri”.
“Ishte shumë e qartë se Thaçi ishte i përzgjedhuri dhe që nuk do të akuzohej për aktivitetet e tij kriminale. Megjithatë, ai kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në grumbullimin e haraçit, kontrabandën e drogës, femrave, armëve dhe kontrabandat e të gjitha llojeve”, shpjegonte ai.
“Le Figaro” rikujton se Nazim Bllaca, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, është dënuar me katër vjet burg, pasi që ka treguar për vrasjen e shumë kundërshtarëve politik, në shërbim të Partisë Demokratike të Kosovës, tw drejtuar deri tash prej Hashim Thaçit.
I pyetur së fundi nga Agjencia France-Presse, presidenti i ri i Kosovës ka deklaruar se “nuk ka asgjë për të fshehur”, duke shtuar se “lufta e Kosovës dhe UÇK ka qenë një luftë e drejtë dhe e pastër, e që askush nuk mund ta rishkruajë historinë”.
Sipas gazetës franceze, procedura rrezikon të jetë e vështirë, marrë parasysh presionet e shumta që janë ushtruar ndaj dëshmitarëve gjatë gjykimeve paraprake ndaj pjesëtarëve të UÇK. Prokurori amerikan Clint Williamson ka pohuar se hetimet kishin rezultuar në “dëshmi bindëse » që kërkojnë ngritjen e akuzave nga ish-komandantëve të gueriljes shqiptare.
“Një procedurë e tillë mund të përfshijë edhe dëshminë e Bernard Kouchner. Si shef i misionit të Kombeve të Bashkuara më 1999-2001, ai është akuzuar vazhdimisht se ka mbyllur sytë mbi vrasjet e kryera nga UÇK”.
“Nuk mund të pohoj se Kouchner kishte njohuri për trafikun e organeve, por është e pamundur që ai nuk kishte informata mbi krimin e organizuar në Kosovë. Shefi i policisë e njoftonte rregullisht dhe mediat i parashtronin shumë pyetje lidhje me këtë çështje”, kishte thënë ish-komandanti i policisë i UNMIK-ut, Stu Kellock.
Bernard Kouchner ka mohuar gjithnjë se ka mbrojtur pandëshkueshmërinë e drejtuesve të gueriljes shqiptare. I pyetur nga një gazetar serb në mars 2010, gjatë një vizite në Kosovë në cilësinë e Ministrit francez të Punëve të Jashtme, ai ishte përgjigjur me norvozizëm.
“Dukem unë si njeri që shes organe? (…) Njerëzit që thonë kështu janë horra dhe vrasës”, përfundon “Le Figaro”, transmeton Insajderi.com. (r.m.)
















