LDK i ka kërkuar UBO Consulting që “për hir të transparencës dhe mënjanimit të mashtrimit të publikut, praktikë kjo e përditshme e LVV… të bëjë publike informacionet se sa ka qenë kostoja e këtij shërbimi, kush janë porositësit e tjerë, nga cilat burime financiare është bërë porosia e sondazhit, dhe në cilën adresë biznesore është bërë ky transaksion”.
“Këto informacione do t’i shërbenin sqarimit të këtij mashtrimi të porositur, për të cilin LDK dhe përfaqësuesit e saj sinjalizuan me kohë”, thuhet në komunikatë.
Sipas LDK-së, të gjitha sondazhet kredibile vendore e ndërkombëtare bëjnë të ditur se LDK qëndron në pozita tejet të favorshme të cilat, siç thotë ajo, konfirmojnë mbështetje në rritje nga qytetarët e vendit.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës i përkrahin politikat zhvillimore dhe properëndimore të Republikës së Kosovës, përkushtimin e saj për në rrugën integruese euroatlantike si dhe angazhimet për fuqizimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të BE-së”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
“Qytetarët e Kosovës nuk mund të përkrahin sekte politike që hedhin molotovë mbi policë, qytetarë, institucione publike dhe shtëpi private, njerëz që sulmojnë institucionet me armë të rënda luftarake, subjekte që mbushin selinë me armë zjarri, lëndë narkotike, maska për kryerje të veprimeve kriminale e lëndë djegëse, që sulmojnë përfaqësuesit diplomatikë, njerëzit që i kanë dyert e mbyllura dhe janë “non grata” në të gjitha shtetet perëndimore, njerëz që bëjnë thirrje për ekzekutime publike, për kaos, anarki e vrasje…”, përfundon komunikata.























