Janë arrestuar sot pesë persona të tjerë në Lazarat të akzuar se kanë qëlluar me armë ndaj policisë. Policia ka vënë në pranga mëngjesine sotëm shtetasit: Rustem Xhemal Mahmutaj, vjeç 19, banues në Lazarat, Teslim Xhemal Mahmutaj, vjeç 22, banues në fshatin Lazarat, Vandam Razip Mahmutaj, vjeç 19, banues në Lazarat, Hysen (Neni) Çela, vjeç 48, nga Lazarati. Ata akuzohen për veprën penale, vrasje e punonjësve të policisë e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe kultivimi i bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Vandam Mahmutaj janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1363 kg hashash, 8500 rrënjë bimë narkotike, 1000 fishekë model 56, 225 gëzhoja model 56, 1 granatë dhe një armë pistoletë shenjëdhënëse, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të llojeve të ndryshme.
Në një deklaratë për mediat, policia informon se edhe gjatë ditës së sotme po vijon aksioni me depërtimin hap pas hapi për në brendësi të fshatit Lazarat, duke ushtruar kontroll në territoret e banesave, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës. Gjatë veprimeve të tyre në terren forcat policore janë të pajisura me mjete të posaçme për veprime kundër grupeve dhe bandave të armatosura dhe armatim i rëndë për t’iu përgjigjur reagimit me armë të grupit kriminal. Në terren janë rreth 800 forca policore të mbështetura nga mjete të posaçme, forca të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, Delta Forcë në Vlorë, si dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj. Po ashtu janë rreth 60 automjete policie në lëvizje. Paralelisht me veprimet operacionale të strukturave të Policisë së Shtetit në terren grupe speciale të hetimit të orientuara nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, kanë vijuar me veprimet për kryerjen e hetimeve dhe fiksimin e provave materiale. Këto veprime po kryhen me korrektësi maksimale në respekt të plotë të ligjit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, duke garantuar një komunikim profesional dhe etik me banorët e fshatit Lazarat. Policia e Shtetit do të vijojë me vendosmëri operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve deri në përmbushjen e plotë të objektivave.