Kuvendi Kombëtar i PD-së që po mbahet në stadiumin “Air Albania”, e ka shpallur Azem Hajdarin, Heroin e Demokracisë, kryetar nderi të Partisë Demokratike.
Belind Këlliçi, i cili po drejton punimet e Kuvendit, në përfundim të miratimit të Statutit të ri, hodhi në votim vendimin e dytë të datës 11 Dhjetor 2021 të lidhur me figurën e heroit Azem Hajdari.
“Në mbështetje të nenit 42 dhe 43, pika 1, germa D të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, miratuar në datën 11 Dhjetor 2021, – tha Këlliçi, – me propozimin e një grupi prej 7 deputetësh të PD-së, Kuvendi Kombëtar vendosi: “Shpalljen e zotit Azem Hajdari , Kryetar Nderi i Partisë Demokratike të Shqipërisë . Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Miratohet. Nga ky çast, pishtari i demokracisë, prijësi i Lëvizjes Studentore ‘90, i ndjeri Azem Hajdari , Kryetar Nderi i Partisë Demokratike.”
Ky vendim që u shpall pas miratimit të Statutit të ri të PD-së ngjalli emocione të mëdha në radhët e mijëra demokratëve pjesëmarrës , ndër të cilët u pa tejet i prekur edhe djali i heroit që mban emrin e babait, Azem Hajdari i riu.



















