Idriz Pasha
Po shkoj në moshën 76-vjeçare dhe në jetën time kam parë, dëgjuar dhe lexuar për shumë kongrese a kuvende partish dhe organizatash të ndryshme. Por i ashtuquajturi Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike , që u zhvillua më 27-28 shtator 2014 në Pallatin e Kongreseve në Tiran, ishte i veçantë sepse filloi dhe mbaroi vetëm me sharje dhe fjalime rrugaçe drejtuar tre të katërtës së popullsisë shqiptare dhe askush nuk diskutoi për situatën e rënduar të Partisë Demokratike , që është në ditët e saj më të vështira të jetës së saj. Unë dua të përqendrohem vetëm në dy diskutim-fjalimet e dy kryetarëve të PD-së, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
Në fjalimin e tij, Luli, nga fillimi në fund nuk tha as edhe një fjalë për partinë, të cilën po e “drejton” që pas dorëheqjes së Saliut, ose më saktë që po e shkatërron. Ai i anashkaloi të gjithë ata intelektualë që kanë dhënë kontribute për Partinë Demokratike dhe u mor më shumë me kokën qose të Strazimiri. Do të ishte në nderin e tij dhe të të gjithë demokratëve, që kuvendin ta kishte nisur me 1 minutë heshtje për nder të të ndjerit Sokol Olldashi. Më tej, Luli e pranoi humbjen e qershorit, por për shkaqet e humbjes dhe për përgjegjësitë e përçarjes së PD-së nuk foli. Ndërsa dyshen Rama-Meta nuk e hoqi për asnjë moment nga goja. Një orë të tërë vetëm shau qeverinë, duke treguar se nga paraardhësi i tij kishte marrë vesin më të keq.
Pas Lulit, në podium doli Sali Berisha, i cili nuk harroi të merrte me vete as shihen me ujë. Plaku pa dhëmbë tha vetëm një gjë në të gjithë fjalimin e tij të urrejtjes: “Të gjithë të majtët janë qelbësira!” Edhe rrugaçi më i keq nuk mund t’i ofendojë aq shumë shqiptarët. Kulmi arriti kur Berisha e akuzoi Ramën se po tejkalonte Enverin me “diktaturën” që paska instaluar në Shqipëri. Berisha harron se ka qenë shërbëtor i Enver Hoxhës dhe se aspirata e tij më e madhe në rini ka qenë të behej komunist! Njeriu më i devotshëm i regjimit të shkuar nuk tha asnjë fjalë për 70-vjetorin e çlirimit të vendit nga nazifashistët. Ndërkohë që ai vazhdon të sillet si i papërgjegjshëm dhe i dalë jashtë kontrolli, disa gra deputete të PD-së vajtojnë ende për rrëzimin e tij nga pushteti.















