Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe ish-kryeministrin Sali Berisha për pezullimin e ligjit të ri për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Tashmë, Presidenti i Republikës, njëherësh kryetar i KLD, me ligjin e ri është i detyruar që të zgjedhë numrin dy të organit më të lartë të drejtësisë vetëm nga radhët e tre anëtarëve të Parlamentit.
Kreu i shtetit kërkoi pezullimin e ligjit të ri për KLD, pasi i merr kompetencat. Gjykata Kushtetuese nuk la një afat kohor se kur mund të shprehet me një vendim për konfliktin juridik të pretenduar nga presidenca. Deri më 15 nëntor nuk është planifikuar një mbledhje e Këshillit, çka automatikisht lë pezull dhe mandatin e Shtyllës dhe Kostës të zgjedhur pas shkarkimit të Elvis Çefës dhe Lulëzim Lelçajt.
Juristja e Nishanit, Ledina Mandia, u shpreh se nuk mund të merren kompetencat qe Presidentit i cakton Kushtetuta. Ajo tha se Parlamenti nuk mund të heqë me ligj kompetencat që Kushtetuta i jep kreut të shtetit.
“Kërkuam pezullimin e ligjit pasi pati veprime konkrete, si shkarkimi i Elvis Çefës, njëherësh nënkryetar i KLD, dhe Lulzim Lelçaj. Ribëjmë sërish kërkesë për pezullim pasi zgjedhja e dy anëtarëve të rij do të përcaktojë zëvendëskryetarin e ri”, tha Mandia.
















