Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të enjten kërkesën e Partisë Demokratike që kërkonte pezullimin e ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kushtetuesja vendosi gjithashtu që të pranojë kërkesën e Këshillit të Ministrave për të marrë pjesë në proces si palë e interesuar.
Në kërkesën e saj PD e cilësonte këtë ligj si thellësisht antikushtetues që prek parimin e ndarjes së pushteteve dhe ka për synim kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Deputeti demokrat, Eduard Halimi është shprehur se vendimi i Kushtetueses nuk i bën të ndihen mirë, ndërsa akuzoi kryeministrin se me kërkesën për t’u bërë pjesë e gjyqit synon të nise proceduren antikushtetuese te ligjit.
“Kryeministri përdori deputetët e tij për të nisur procedurën antikushtetuese të ligjit. Një tentativë për të zgjatur antikushtetutshmërinë e ligjit dhe të institucionit të KLD-së pas zëvendësimit të anëtarëve me dy militantë politikë. Kërkojmë që gjykata të gjykojë shpejt dhe t’i japë fund antikushtetutshmërisë dhe të kthejë kushtetutshmërinë në një institucion kaq të rëndësishëm”, tha Halimi.















