“Isha në shtëpi duke parë ndeshjen, jam afruar te godia pasi ka rënë zjarri. Kam parë tmerret e zjarrit që kapluan njësitë modulare anti-Covid”. Kështu e nisi rrëfimin aktivisti, Arjanit Xhaferri, në lidhje me zjarrin në Tetova që mori jetën e 14 personave.
Ai shton se godina në fjalë ishte e ndërtuar me panele plastike që nuk i rezistojnë zjarrit dhe digjen shumë shpejt.
Sipas Arjanit Xhaferrit, godina modulare e Covid-19 nuk ka qenë e pajisur me mjetet kundër zjarrit.
“Gjatë javëve të kaluara e kam vizituar 3 herë spitalin, pasi kisha mbesën me Covid. Nuk kam parë aparate kundër zjarrit. Vetë fakti që është ndërtuar nga gjëra aq të dobëta”, tha ai.
Ndërsa i pyetur nëse pacientët kanë pasur familjarë brenda që kujdeseshin për ta, Xhaferri tha “po” dhe tregoi një rast personal.
“Ka pasur familjarë gjatë gjithë kohës. Jo të gjithë pacientët kanë pasur familjarë, por shumica po. Unë kam pasur kushëririn tim që është kujdesur për të atin që ishte i infektuar me Covid19. Dyert e spitalit Covid u janë hapur familjarëve për shkak se nuk ka pasur personel, edhe pse ato që janë, janë shumë profesional, edhe pse të rinj. Kanë treguar kujdes maksimal për pacientët”, përfundoi aktivisti.




















