Nga Besi BEKTESHI
Përpara 100 vitesh, pikërisht me datën 5 shtator, kryengritësit hyjnë në Durrës, ose qytetin më të rëndësishëm të Shqipërisë së mesme, akoma në dorë të shqiptarëve të themi kështu, dhe e pushtojnë atë. Vendi që nga kjo datë, hyn në kaos të plotë. Që nga dhjetori i vitit 1914 dhe deri në qershor të vitit 1915, kjo kryengritje që kishte në themelin e saj mbi bazë e “Memorandumit të 3 qershorit 1914-të” në Shijak, ku i kërkojnë Princ Vidit të largohet dhe në vend të tij, ata propozojnë të vijë një princ turk dhe pa asnjë lëshim këtë gjë. Gjithashtu, simbolet kombëtare shqiptare zëvendësohen me simbolet turke, duke shitur, nëpërkëmbur, dinjitetin kombëtar. Nuk ka përballë tyre forca qeveritare, sepse në fillime Esad Pasha ishte gati me to (edhe pse me Antantën) mbasi kishin rënë në rajon Kavaja, Kruja, Peqini dhe Elbasani. Ahmet Zogu i pret me pushkë në zonën e tij. Në korrik bien edhe Lushnja, Fieri, Berati dhe Pogradeci, për më tepër se nënshkruajnë edhe një marrëveshje me 11 korrik me forcat më të errta vorio-epiriote dikur të përkrahura edhe nga osmanët dhe xhonturqit, që Korça dhe Gjirokastra, ti mbeten atyre?! Data 1 shtator 1914, është turpi më i madh mbas gati dy viteve shpallje pavarësi, sepse në Vlorë kryengritësit çojnë flamurin turk. Vetëm me 3 shtator, Princ Vidi largohet nga Shqipëria dhe nuk e ndihmoi njeri nga jashtë, por edhe nga brenda përveç dy veriorëve si Ahmet Zogu në zonën relativisht të madhe të tij dhe Preng Bib Doda në Mirditë, ndërkohë që Shkodra ishte nën besirkomandën austriake.
Kryengritja e turqëllinjve dhe fshatarëve kundër Princ Vidit, kundër pavarësisë, kundër flamurit shqiptar, kundër edhe tashmë Esad Pashës, mori terren dhe Esadi njëherë i përzuri, pastaj e larguan sërish.
Kryengritja për më tepër se një vit i torturoi të paktët intelektualë që kishte Shqipëria, persekutoi klerin katolik, duke vrarë priftërinj dhe djegur kisha e arqipeshkëvi si ajo e Delbnishtit si përfaqësuesja e Durrësit. Shkatërroi ekonominë, dhe vrau individë të shumtë që nuk kishin lidhje me të. Ishte një model i turpshëm e anti perëndimor dhe anti kombëtar. Ishte turpi më i madh që po bënin shqiptarët e shumtë, sepse kryengritja kishte fshatarë sa të duash pranë saj, dhe që tregonte se niveli i një treve të madhe ishte akoma jo i mirë kombëtarizuar, se idetë e pavarësisë dhe shtetit shqiptar, nuk ishin konsoliduar, se “Rilindja Kombëtare” akoma nuk kishte zënë rrënjë në shumicën dërmuese të shqiptarëve. Ishte një vend që nuk kishte pranuar një princ të huaj dhe për më tepër gjerman (sot pak kush habitet pse Gjermania kujdeset për ne) i cili kishte ide të mëdha, por jo përkrahje të madhe si nga jashtë dhe nga kulisat e brendshme dhe i pari Esad Pasha. Por jo vetëm ai!? Ishte një Princ i mirë dhe i gjatë, që po përballej me “haxhiqamilizmin” si simbol, sepse, nuk ishte ai vërtetësisht ideatori dhe modeli kaq i madh i kryengritjes përveç llumit të fshatarësisë në llum, që kishte ajo zonë dhe ky vend në atë kohë. Nuk mund të harxhoj kohë me arsyetimet e një modelit të tillë antikombëtar dhe antiperëndimor, sepse dihet tashmë që Esadi nuk pa rrugë tjetër, po la rrugë për serbët që shfrynë në Durrës dhe kapën edhe Haxhi Qamilin që vetë Esad Pasha e varri? Po atë së bashku me 40 katundarët e tij me 16 gusht 1914. Punë sundimtarësh dhe pushtuesish, herë këtej herë andej, por dhe shqiptarët si në jugë, veri, dhe Shqipëri të mesme në mes beteje dhe kryengritje, por dhe lufte ballkanike.
Ishte pra një mish mash kombëtar dhe politik në atë kohë tragjike, por a kishte kuptim?
Mbase po disi? Sepse dilnim krejt pa ideal të formuar kombëtar, dhe përballë pretendentëve për toka si nga veriu ose Mali i Zi dhe Serbia, nga jugu Greqia dhe Italia, dhe Esad Pasha në Durrës dhe Shqipëri të Mesme, enklavat e Zogut në Mat dhe Preng Bib Dodës në Mirditë, ishin modele të fortëve me ushtri. Pastaj lufta e parë që i vinte kapakun dhe rreziku i tokave të njohura në vitin 1913 nga fuqitë e mëdha që nuk nisën luftën në atë kohë në Shkodër. Ishin austriakët, që bënin diferencën edhe pse ishin pushtues, por që kërkonin një shtet dhe komb shqiptar.
Çfarë ideali kishte aty ku nuk shkonte propaganda e Rilidjes dhe i mëvetësisë, sidomos në fshatra dhe vende ku injoranca ishte një kryevepër e njeriut nën pushtim 500 vjeçar pa shkolla shqip dhe pa zhvillim urban. Një urrejtje religjionare pa kufi, dhe një urrejte kundër perëndimit si për modelin princ dhe për atë kombëtar me flamurin e Skënderbeut. Shqiptarët afër 1912-tës nuk transmetonin plotësisht ideal kombëtar dhe bashkim, por vese mbijetese dhe përçarje kombëtare dhe anti perendimore. Por natyrisht kishte dhe shumë e shumë patriotë të lartë dhe njerëz të kombit në përpjekje.
Në atë kohë perëndimi ndërhyri dy herë, dhe këto janë një herë në Shkodër, në 1913-tën për të mbajtur unitetin e një shteti të menduar nga ato, dhe e dyta me delegimin dheeksportin nga ana e tyre e një princi gjerman, për të administruar popullin e akoma pa kombëtarizim me ideal politik dhe shoqëror të vetin. Copat e gazetave në atë kohë e bëjnë botën perendimore edhe pse në ndihmë, një fajtore për Shqipërinë dhe janë të shumta të tilla testatat europiane dhe ajo njujorkeze. Historia nuk lexohet vetëm nga shifrat sekrete të telegrameve qeveritare dhe as nga bisedat e tyre, por dhe nga të thënat e opinionit publik dhe shtypit në përgjithësi.
Mirëpo, atëhere kishte mbase kuptim mish mashi politik dhe kombëtar i joni, por sot?
Sot për fat, nuk ka mishmash kombëtar dhe në të vërtetë tre periudhat e më pastajme, ose koha e 1920-të, ose 1928, ose 1938, nuk i ranë në qafë ndjenjës kombëtare përkundrazi e forcuan atë dhe bashkë me të, asnjëherë nuk i ranë kundër realisht e forcërisht aspektit të animit nga perëndimi. Mbas 1945-sës, ndjenja kombëtare nuk mungoi, por kishte ideologji. Kishte anti perëndim, por jo vlera të caktuara në popull si të tilla. I gjithë komunizmi rural dhe oriental i joni, nuk arriti ti bëj keq ndjenjës perëndimore në popull, përkundrazi, edhe në saj të marrëzisë izoluese në fund, nxori një produkt dashurie të pakufishëm ndaj perëndimit. Këto 24 vite janë të mira kombëtarisht, edhe pse me ndërhyrje të shumta si religjionare dhe antiperëndimore të ndryshme. Por nuk ka mish mash kombëtar të vërtetë. Mish mash politik po. Ky është i shumtë dhe i mbrapshtë.
Gjithsesi Shqipëria jonë mbas 100 viteve, nuk është një grua e veshur folklorikisht si dikur në karikaturat e Europës, apo një bebe folklorike në krahët e Europës. Po, ai që qan (në vitin 97 disi po) dhe që Europa nuk e shikon pse qan?! Jemi në pudiume të mëdha nderi, sidomos në NATO. Edhe samiti i fundit në Wells e vërtetoi këtë, se nuk jemi më një model i vogël fare as si teritor as si mish mash, që duhet drequr nga rrënjët. Së bashku dhe me Kosovën, jemi në krah të modeleve demokratike dhe kjo të gëzon pa masë. Në krah të botës si me të drejtën, dhe në krah të tyre në luftën ndaj të keqes së terrorit ndërkombëtar. Nuk jemi një mish mash, dhe këto 100 vite edhe pse të vështira, nuk kanë qenë që ne të dalim sërish në mish mash kombëtar.
Biles as tashmë shtetëror, dhe pse duhet shumë punë përpara.
Tani mish mashi kombëtar dhe politik nuk ka më kuptim. Kjo është e ditur dhe e qartë. Nuk mund të ketë më kuptim, dhe nuk duhet bërë më një histori e ndytë anësimi andej nga nuk duhet. Politikisht, ne jemi përfundimisht aty ku duhet, jemi në vendin e duhur, dhe tashmë kemi dhe elementët e duhur, për të qenë një vend i duhur. Në fund të fundit, më pëlqen të them, se mbas 100 vitesh, kemi një përparim të dukshëm dhe të vërtetë në qytetërim, por dhe politik si të jashtëm dhe kombëtar. Mund të jenë dy ose tre individë akoma mishmashistë si koncept, por janë pak. Nuk mund të prishin punë tashmë.
Para 100 vitesh, ishte një princ gjerman që mendonte të bënte shtetin, dhe nuk e lanë shumë faktorë dhe aktorë, sot kemi një Gjermani të madhe dhe ndryshe, e cila drejton ekonomikisht dhe politikisht Europën. Nuk ka nevojë për princa të na bëjnë shtetin, por për partner dhe miq, që na largojnë me ndihmë mishmashin politik tonin. Kjo është shumë e rëndësishme.