Bardh Frangu
Thonë se çdo e keqe e ka nga një të mirë në vete. E mira e keqes që më ndodhi mua ishte zënia e CD-së në kasetofon të veturës, ndërsa isha në njërrugë bukur të gjatë. Nga pamundësia për të dëgjuar muzikë të zgjedhur, nisa të shëtis nëpër stacionet e radiove në Kosovë. Sa të duash emisione muzikore, emisione kontakti gjithashtu të mbushura me muzikë sipas dëshirës së kontaktuesve. Tek dëgjoja muzikë të huaj me fjalë shqip, në çast mendova se më mirë është ta fiku radion dhe të fishkëllej meloditë që i dua më shumë, por kureshtja dominoi këtë bindje dhe vazhdova të shëtisë nëpër valët që shpesh dilnin nga radioja si nga ndonjë llamarinë e ndryshkur e rrahur nga era.
Kultura dhe identiteti janë si mishi me thua. Po muzika që dëgjoja, ma dëshmonin të kundërtën, në fakt dëshmon se edhe kultura (muzika si pjesë e saj shumë e rëndësishme), edhe identiteti ishin katandisur keq. Dhe nuk mund të ishte ndryshe në një vend, të cilin Adem Demaçi e ka cilësuar si kënetishtë. E në kënetishtë është normale të mbizotërojë zëri i bretkosave. Tek dëgjoja tinguj dhe fjalë pa takt e pa kuptim, si për ironi, seç m’u kujtua Hajrie Spikerica, personazhi më popullor i televizionit publik (atëherë RTP) kur ishte nën masa të dhunshme serbe, përkatësisht nën okupim. Përnjëmend shumë me ëndje dëgjoja muzikën në valët e RP-së. Kjo për faktin se cenzura e aplikuar nga masat e dhunshme kishte hequr këngët me motive folklorike përkatësisht patriotike dhe kishte lënë që në eter të shpërndaheshin vetëm këngët me motive qytetare, të cilat edhe sot e kësaj dite i dëgjoj me kënaqësinë më të madhe.
Po si u bë që sot erdhëm në këtë derexhe!? Ne vërtet sillemi me tru peshku, por nuk ka mundësi të mos na kujtohet koha menjëherë pas çlirimit të Kosovës, kur “Marshi i UÇK-së” ishte shndërruar në himn për ta lartësuar luftën e këtyre komandantëve, numër jo i vogël i të cilëve sot gjenden prapa grilave a nëpër dyer gjykatash duke pritur dënimin
për plaçkitje dhe keqpërdorim të të mirave publike. Sigurisht që duhet t’ju kujtohet se kjo këngë e Arif Vladit jo vetëm që ushtonte ngado, por këndohej edhe nëpër restorante, këndohej edhe nëpër dasma, madje edhe dhëndurët futeshin nëpër dhomat e nuseve me këtë këngë, pa harruar edhe ata që për melodi të telefonave celularë kishin zgjedhur pikërisht këtë këngë.
Sigurisht që ekzagjerimi është karakteristikë e karikaturave. E karikaturat nuk dëshmojnë gjë tjetër pos deformim të realitetit, përkatësisht fenomeneve a dukurive në shoqëri. Bazuar në këtë, nëpërmjet një alegorie funksionale, këngëtarja e dalë fare, Mirjeta Kosumi, mori nofkën “Kallash”. Atmosferën me erë baroti në këngë dhe kudo përreth Kallashi nisi ta pushtojë me pamjen e trupit të saj, duke ekspozuar në rend të parë vithet dhe gjinjtë. Dalëngadalë muzika u shndërrua në një art që shikohet e nuk dëgjohet! Tani edhe komandantët janë demilitarizuar dhe shkojnë pas Kallashit! Po t’i kthehem radios si llamarinë e ndryshkur. Nuk po flas për pjesën instrumentale të këngëve, sepse tashmë ato bëhen kryesisht nëpërmjet një sinti dhe të mbështetur kryesisht në melosin oriental, por po vë në spikamë disa nga vargjet e tekstit të këngëve, për të kuptuar më mirë derexhenë në të cilën ka rënë kjo shoqëria jonë e zhytur në kënetishtë.
Ndër të tjera dëgjoj edhe këto vargje: “buzët tua si pasul, do t’i ha si llokum”! Ose këto vargje që më së miri shpërfaqin gjendjen tonë jo vetëm kulturore, por edhe politike: “O vëllavi im i ri, kalle Mitrovicën me allti, o kalle kalle me raketa, me majt mend sa të jetë jeta”! Ky patriotizëm bastard, i shprehur nëpërmjet një teksti alogjik (nëse një vend kallet me raketa, kush do të mbetet të mbaj mend!?), të irriton skaj mase. Po sipas opinioneve del se këngët më të popullarizuara aktualisht janë: “Oj dashnia jeme a je gjallë!” dhe “Kcejna mbi tavolina”. Së fundmit skandaloze del të jetë edhe kënga e Gilit, me vargjet: “Na dashninë e kemi si Sulltani e Hyremi, na dashninë e kemi si Shota e Azemi”. Kjo është një groteskë kaq fyese sa vështirë të gjendet koment për këtë. Mbase kjo këngë e Gilit shpërfaq më së miri krizën kulturore dhe identitare që po e përjetojmë ne banorët e zhytur në kënetishtë, ku njësitet e organizuara të injorancës dhe mediokritetit na e kanë zënë frymën. E logjika e kallashit tjetër edhe nuk mund të prodhojë. Mbase këto janë vetëm disa nga vargjet e këngëve që mund të shërbejnë si ilustrim, ndryshe eteri ynë është ndotur kaq dendur nga këngët që prodhohen për të ushqyer injorancën, sa nuk mund të merret me mend. Ti edhe mund ta rregullosh kasetofonin mund edhe t’i mbyllësh veshët fare, por këtu edhe ajri është i ndotur e ti nuk ke si të mos marrësh frymë. Nuk ke si të mos kalosh shesheve tona, nga tezgat e të cilëve kumbon pa u ndalur kjo muzikë. Edhe ti bëhesh pjesë e saj dhe në fund pajtohesh se Meda ka të drejtë kur e futë dhëndrin tek nusja me këngën “Oj dashni, dashni e vjetër”, pavarësisht se tek qifti i ri krijon një ndjenjë jo të këndshme, duke iu referuar në këtë mënyrë të kaluarës së tyre.
Këtu iu referuam muzikës si një prej arteve më të vjetra dhe më masive, me ndikim shumë më të madh se artet tjera, por më mirë nuk e kemi gjendjen as në fushat tjera të kulturës.






















