Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar raportin e grupit punues, pas vizitës së bërë në Agjencionin e Ushqimit dhe të Veterinës (AUV) dhe në Doganat e Kosovës, njofton Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët, Sali Salihu dhe Adem Salihaj, anëtarë të grupit punues, kanë treguar se gjatë kësaj vizite kanë hasur në të dhëna kontradiktore në mes të AUV-it dhe doganave. Ata kanë sqaruar se përfaqësuesit e AUV-it kanë insistuar se nuk kanë bërë kontroll të grurit të importuar si ushqim i deklaruar për kafshë, ndërsa në dogana kanë hasur në të dhëna se janë importuar më se 10 mijë tone, të deklaruar si ushqim për kafshë. Ata kanë shpjeguar se kjo sasi e mallit, ndonëse ka hyrë në Kosovë pa iu nënshtruar obligimit të përcaktuar në emër të TVSH-së, nuk duhet ku ka përfunduar. Referuesit kanë treguar se grupi punues, gjatë vizitave ne Agjencinë e Ushqimit e Veterinës dhe në Doganat e Kosovës nuk ka pasur qëllim të hulumtojnë çështjen e importit të grurit vetëm nga një kompani e caktuar, por nga të gjitha kompanitë e vendit që merren me këtë veprimtari.
Gjatë diskutimit, deputeti Shaip Muja është angazhuar që komisioni, me punën e tij, të ndikojë në cilësinë e grurit dhe gjithë ushqipit të importuar. Ai ka thënë se importuesit duhet të fusin mallra cilësorë në vend, ndërsa çështjen e evitimit të TVSH-së e ka cilësuar si çështje të prokurorisë.
Edhe anëtarët e komisionit Lahi Brahimaj e Haxhi Shala, kanë thënë se ushqimi i importuar është i cilësisë së dyshimtë.
Anëtarët e Komisionit, gjatë debatit, kanë shfaqur dyshime edhe në kredibilitetin e Institutit Bioteknik të Bujqësisë në Pejë.
Në fund të debatit, Kryetari i Komisionit Fikrim Damka, ka thene se në fillim të javës së ardhshme, Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit e Veterinës do të sjellin në komisionin një raport më të detajuar i lidhur me këtë çështje.
Damka ka thënë se pas marrjes së këtij raporti komisioni do të ketë një pasqyrë më të qartë lidhur me importin e grurit gjatë vitit 2014, si dhe në tremujorin e këtij viti. Ai ka thënë se në bazë të këtij raporti, Komsioni do të mund të marrë hapat e mëtutjeshëm.
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi edhe një shkresë të Komisionit për legjislacion, lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/39.















