I mandatuari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar Kryesisë së Kuvendit kërkesën për caktimin e seancës plenare lidhur me votimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit të Kuvendit, kryesia do të mblidhet në 31 janar, për të shqyrtuar kërkesën e kreut të Vetëvendosjes.
Vetëm pak më herët u tha se Kurti do të takohet me përfaqësuesit e Listës Serbe, në kuadër të negociatave për formimin e qeverisë së re. “Kryetari Albin Kurti, në kuadër të bisedimeve për të krijuar qeverinë, përveç diskutimeve intensive me partnerin kryesor qeverisës, LDK-në, do të takohet edhe me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve, përfshi edhe minoritetin serb.
Me këta të fundit do të diskutohet programi qeverisës sidomos në fushat që kanë ndikim në jetën e këtij komuniteti”, ka thënë VV për REKL.
Partia që doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, thotë se me përfaqësuesit e komuniteti serb, Kurti do të diskutojë për kreun e “ministrisë që do të drejtohet nga komuniteti serb, siç e garanton Kushtetuta”.



















