Nuk është hera e parë që ai vjen në Londër, madje edhe si kryeministër, por kjo ishte vizita e tij më e zhurmshme(natyrisht për publikun shqiptar). Edhe ekspertët më të zhdërvjelltë diplomatikë do ta kishin të vështirë ta përcaktonin vizitë e kryeministrit Edi Rama në Londër si zyrtare . Mjafton të kontaktosh FCO (Foreign & Commonwealth Office) që të marrësh sqarimin “e madh” se eskorta u vihet në dispozicion vetëm të personaliteteve të ftuara nga zyrtarët britanikë. Fakti që Kryeministri Rama mori pjesë në një takim të një banke, nuk i ka skuqur aq shumë zyrtarët britanikë, megjithë nikoqirllëkun që i karakterizon.
Në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe që Rama u takua me kryeministrin britanik qoftë edhe si rastësisht, apo me ndërhyrjen e këshilltarëve falas ose jo, ndonëse mospublikimi i asnjë rreshti në web-sitin e 10 Doëning Street për këtë takim, largon çdo hamendësim për çdo lloj interpretimi ndryshe.
Një ish-zyrtar i lartë i qeverisë së Kosovës tregonte se së bashku me një ish-kryeministër të Kosovës, ishin gjendur në disa ambiente të qeverisë Britanike, kur rastësisht në një korridor ishin përballur me ish-kryeministrin Blair dhe ishin ulur në një “meeting room” një një “takim” që kishte zgjatur nja tre-katër minuta.
Mbase për shqiptarët e Britanisë nuk është shumë e rëndësishme ndonjë “shkarje” e PR-ve të Ramës, (që zakonisht kujdesen deri në detajet më të hollësishme) për ndonjë gafë diplomatike, sikurse do të dëshironin shumë të lexonin ndonjë rresht në faqen zyrtare të kryeministrit britanik, për vizitën e tij në Londër.
Ndoshta për një pjesë të vogël nuk është shumë shumë e rëndësishme nëse Ambasadorin e Shqipërisë e anashkaloi pasi kishte njollë në “biografi” (Kryeministri nuk e kapërdika lehtë mbiemri Berisha), aq sa do të dëshironin që vetë kryeministri i Shqipërisë, të jetë vetë i pari , shembulli, modeli i zbatimit të kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Ajo që mbetet e pafalshme, është injorimi që u bëri shqiptarëve të Britanisë.
Nuk dihet nëse “justifikimi” i pamjaftueshmërisë së kohës së Kryeministrit në Londër do të pinte ujë, (nga data 19-21 Nëntor). Zakonisht ftesat në botën perëndimore nuk dërgohen kurrë sot për sot… por së paku minimumi dy javë përpara, gjë që tregon që kryeministrit nuk iu është kujtuar se duhet të ketë edhe disa takime përveç këshilltarëve, duke dëshmuar se kryeministri ynë është në gjendje të sfidojë edhe vizitat në pikave turistike të tundueshme të Londrës…
Nuk ka asgjë të keqe që Kryeministri të takojë këshilltarët britanikë qoftë edhe ata “falas” që t’i venë punët mirë Shqipërisë, por nuk do të prishte shumë punë … një gotë më pak, dhe të organizonte një takim, sado simbolik me përfaqësuesit e shqiptarëve të këtushëm, apo sidomos me miqtë e mëdhenj britanikë, si shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e jashtëzakonshëm të tyre, që nga ato kohë kur Kryeministri lozte nëpër rrugët e bllokut, e deri roli i pazëvendësueshëm që ata luajtën para dhe pas luftës në Kosovë.
Asgjë nuk do të ndodhte po të liheshin disa pika turistike nëpër Londër dhe të takoheshin ata britanikë dhe shqiptarë që mbajnë gjallë shoqatën më të vjetër shqiptaro-britanike ( Anglo-Albanian Association) të themeluar nga Aubrey Herbert dhe Edith Durham që në 1913 dhe pasardhësit e atyre që përbënin “Rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë” .
Do të ishte në nderin e kryeministrit Rama të takonte dhe të shprehte mirënjohjen për të gjithë ata akademikët britanikë, publikimet e të cilëve ndryshuan jo vetëm opinionin britanik dhe anglishtfolës, por ndikuan fuqishëm në qendrat e vendosjes…
Nuk do të kishte asgjë të keqe që të takohej dhe të falënderonte pedagogët dhe lektorët shqiptarë që japin leksione nëpër universitetet britanike, duke përçuar vlerat më të mira shqiptare, madje do të ishte rasti më i mirë për kryeministrin, për të dëshmuar se nuk ka ndonjë qejf-mbetje me ta, edhe pse shumë prej tyre nuk pranuan që të bëhen pjesë e video-konferencave, që himnizonin atë, gjatë fushatës së tij elektorale…
Do të ishte shprehje e angazhimit si kryeministër i shqiptarëve një takimin me talentet shqiptare në Britani që janë shndërruar në yje, në modele të suksesshme jo vetëm të shqiptarëve, britanikëve, por të brezit të tyre anë e kënd globit.
Si mund të ndjehej Adnan Januzaj po të kishte mundësinë të takonte kryeministrin shqiptar? Po Rita Ora?
Po talentet e tjera nga çdo fushë e jetës, që janë shndërruar në ambasadorë të shkëlqyer të vlerave shqiptare në botë?
Cili shqiptar nuk do të donte të shikonte një foto të kryeministrit shqiptar me Januzajn në median britanike, apo me Rita Orën që në çdo intervistë nuk len pa përmendur me krenari kombësinë e saj shqiptare?
Kryeministri duhej “t’u jepte zemër” të gjithë atyre aktivistëve që po përpiqen të futin gjuhen shqipe si GCSE nëpër shkollat britanike, t’u jepte garanci të gjithë atyre shqiptarëve që duan të investojnë në Shqipëri , t’i përkrahte të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë nga shteti shqiptar.
Por në fund të fundit përkujdesja për mërgimtarët është detyrim kushtetues, dhe Kryeministri duhet ta dije këtë, të paktën duhet dikush t’i tregojë, dhe nuk është thjesht përmbushja e një premtimi të dhënë gjatë fushatës elektorale, aq më pak të presin përmbushjen e premtimit se mërgimtarëve do t’u sigurohet e drejta e votës.
E të gjithë këto dikush duhet t’ia thotë Ramës dhe jo domosdoshmërisht këshilltarët “falas”. Mbase dikush duhet t’i thotë Ramës se nuk është më vetëm kryesocialisti shqiptar që duhet të kujdeset për forumet e tij partiake këtu në Londër.
Po cili shqiptar duke përfshirë edhe socialistët më të thekur, do të ndjeheshin mirë kur të marrin vesh, që këtë vit, në një nga kryeqytetet më të fuqishme të Evropës, nuk është dhënë asnjë përkrahje financiare për të përkujtuar 1001 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë? Dhe të imagjinosh se do të mjaftonte një biletë “first class” e ndonjë ministri për ta bërë këtë…
Gjithsesi Kryeministri Rama patjetër do të vijë sërish në Londër… bashkë me mundësinë për të rilindur…















