Një rrëfim i pazakontë është bërë dje në emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi, ku u publikua një videoskandal, që kishte në qendër kryetarin e bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili. Pak muaj më parë, një vajzë 20-vjeçare u paraqit në redaksinë e televizionit “Ora News” për të bërë një denoncim për një kryetar bashkie në një qytet të Shqipërisë.
Pretendimi i saj ishte se kryetari i kësaj bashkie i kishte premtuar se do t’i gjente një punë në administratën e bashkisë, nëse vajza pranonte të kryente marrëdhënie seksuale me të. Denoncuesja nëpërmjet telefonit kishte lënë takim në zyrën e kryetarit për t’i kërkuar një vend pune, teksa ai, sipas saj, i kishte kërkuar favore seksuale.
Pamjet e regjistrimit shfaqën kryetarin e bashkisë dhe vajzën 20-vjeçare, duke u takuar dhe biseduar në zyrë, më pas në makinë dhe në një hotel. Pas publikimit të pamjeve dhe bisedës, televizioni “Ora News” bëri të ditur se është vënë menjëherë në lëvizje policia për të siguruar regjistrimin e transmetuar. “Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të video-skandalit të kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, i cili kërkonte favore seksuale për një vend pune. Policia i ka kërkuar televizionit “Ora News” pamjet filmike, me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Organet e hetimit kanë mbërritur në zyrat e televizionit për të marrë materialet përkatëse”, bëri të ditur televizioni. Drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi, deklaroi publikisht se vinte në dispozicion të organeve të hetimit të gjitha materialet që zotëronte.
Televizioni nuk zbuloi identitetin e vajzës, e cila realizoi edhe filmimet e kryetarit të bashkisë së Dibrës, duke deklaruar se këtë mund ta bëjnë organet kompetente, në rast të hetimit të çështjes. Gjithashtu, burimet e “Ora News” bënë të ditur se sot qeveria pritet të firmosë shkarkimin e kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili. Shkarkimi pritet të bëhet me një vendim qarkullues të Këshillit të Ministrave. Në bazë të Kushtetutës, “organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.
“Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet”, thuhet në nenin 115 të Ligjit Themeltar. Aty përcaktohet se, “në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse”. Publikohen bisedat dhe filmimet e kreut të bashkisë, Shukri Xhelili, pas denoncimit të një 20-vjeçareje, e cila kërkonte një vend pune. Policia merr pamjet në zyrat e “Ora News”















