Ish- zëdhënësi i UÇK-së e ka quajtur absurd, konstatimin e Sorroit që del nga kjo libër se nuk ka ekzistuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës
Prishtinë 28 gusht 2014 – Ish- zëdhënësi i UÇK-së tani Kryetari i Këshillit Kombëtarë të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ka kritikuar ashpër me një shkrim të gjatë autorial Veton Surroi, për librin e tij të fundit, “Këmbët e Gjarprit”. Krasniqi në këtë shkrim e ka quajtur absurd, konstatimin e Sorroit që del nga kjo libër se nuk ka ekzistuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Krasniqi madje tha se përmes këtij libri, Surroi u mundua që të mohon krijesën më sublime të popullit shqiptar të Kosovës, UÇK-në.
Të merresh me një çështje fondamentale, siç është ekzistenca apo “mos ekzistenca” e UÇK-së, duhet një shkas. Fillimisht, nuk pajtohem assesi me “vlerësimin” absurd se UÇK-ja nuk paska ekzistuar (sic!), konstatim ky që del nga shënimet enkas për libër të kudondodhshmit e gjithëdijshmit Veton Surroi, që përpiqet të mohon krijesën më sublime të popullit shqiptar të Kosovës, e cila kurorëzoi luftën shekullore për liri e pavarësi të Kosovës – UÇK-në! UÇK-ja si askush tjetër para saj, i shkriu akujt që të tjerët i kishin vendosur padrejtësisht në trupin e Shqipërisë e të shqiptarëve (në kufijtë shqiptaro – shqiptar).Kjo vlerë e vepër kombëtare nuk mund të mohohet nga askush, madje as nga armiqtë më të mëdhenj politik te shqiptarëve. Prandaj edhe nuk kemi një përpjekje të tillë deri më tani. Nuk pajtohem assesi as edhe me veprimet e disa veteranëve të UÇK-së, të indinjuar me kuturisjet e Veton Surroit, duke djegur publikisht ekzemplarë të librit “Këmbët e gjarprit”, botuar në prag të zgjedhjeve kombëtare të 8 qershorit 2014 nga kompania “Koha” e Prishtinës.
Mbase ky veprim veteranësh të nxituar shesheve të Ferizajt e Malishevës bëri që librit t’i shtohet nami, duke u botuar e ribotuar deri tani më se shtatë herë, me një tirazh që kalon numrin 10 mijë kopje, që për Kosovën paraqet një bestseller të vërtetë. Natyrisht, kjo nuk është vështirë të arrihet, për një botues që ka botuar edhe libra shumë të mirë për UÇK-në dhe një medie e fuqishme me gazetë të përditshme, televizion kombëtar dhe shtypshkronjë, pavarësisht ndihmesës së veteranëve.
Së këndejmi, duhet pranuar një fakt se jo të gjitha librat që janë shkruar nga autorë shqiptarë e të huaj, kanë shkruar mirë për UÇK-në, por e veçanta e librit të Veton Surroit është se ky i pari e merr “guximin” të mohon ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që s’e ka bërë askush tjetër para e pas tij, madje këtë nuk e ka bërë, sa di unë, askush as në Serbi. Por, ky fakt nuk i jep të drejtë askujt që ta djegë një libër, si lajtmotiv se nuk pajtohet me konstatimet e autorit.
Përgjigjja më e mirë ndaj një libri cinik, i cili nuk merr parasysh asnjë argument a fakt të qëndrueshëm, është kundërvënia me libra dhe debate me fakte të qëndrueshme dhe të argumentuara mirë. Nuk është punë e veteranëve të djegin libra dhe as t’i vlerësojnë ato. Ata e kanë kryer dinjitetshëm punën e tyre me çlirimin e Kosovës dhe për këtë duhet të jenë krenarë.
Është detyrim i instituteve shkencore ta mbrojnë Lëvizjen Kombëtare për Çlirim nga sulmet joparimore e mohuese ngado që ato vijnë e katapultohen në mendësinë tonë akoma të brishtë. Janë shkruesit e historisë, shkrimtarët e poetet, njerëzit e artit e të kulturës ata që duhet brezave t’ua ndriçojnë rrugëtimin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim. Errësimin e kësaj rruge, mjaftë e kanë bërë armiqtë e kombit tonë, ne duhet ta ndriçojmë.
Në anën tjetër, libri i Surroit, Lëvizjen Kombëtare për Çlirim, përfshirë edhe UÇK-në e vesh me epitetet më të pështira, me epitetet të cilat do të duhej t’iu drejtoheshin në radhë të parë atyre që kjo lëvizje gjithëkombëtare i kishte luftuar pa kompromis e me të drejtën divine (hyjnore). Biblike ishte sakrifica e popullit shqiptar në përgjithësi, e veçanërisht flijimi i Jasharëve të Prekazit, në krye me Komandantin Legjendar – Adem Jasharin. Kushdo që e mohon UÇK-në për inat të këtij apo atij privatizuesi e përvetësuesi të saj apo të cilitdo abuzuesi të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim pas luftës, është shpirtngushtë e pak njeri, pavarësisht çfarë mendon e si e vlerëson ai veten e tij. Thënë shkurt, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mban asnjë përgjegjësi për cilindo qeveritar, të djeshëm a të sotshëm që abuzon më të gjitha pushtetet edhe kur thirret në emrin dhe lavdinë e saj. Për të tillë abuzues, sigurisht që ka pasur mundësi e fakte të tjera të shumta demaskimi, por, me gjasë autori duhet të ketë kërkuar më shumë se kaq.
Për t’iu kundërvënë librit “Këmbët e gjarprit”, konkretisht aty ku (më) dhemb më së shumti, aty ku mohohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vepra e saj – Pavarësia e Republikës së Kosovës, unë do të ndalem në dy rrafshe.
I pari ka të bëjë drejtpërdrejt me Veton Surroin, me pyetjen e thjeshtë se cilit Veton Surroi t’i besojmë? Atij të koleksionit të “Kohës ditore”, të periudhës nga dalja në skenë e UÇK-së, 28 nëntor 1997, e gjithë deri në largimin e forcave serbosllave 21-22 qershor 1999, njëkohësisht edhe nga shkrimet e zgjedhura nga monografia “Koha ditore – 10 vjetët e parë” (Koha, Prishtinë, 31 mars 2007, me gjithsej 232 faqe formati 24,5 x 29 cm), apo të këtij të sotmit të “Këmbëve të gjarprit”? Në politiken shqiptare gjarpërinjtë nuk kanë munguar as edhe një herë, as në kohën e sundimtarëve të Gjakovës për të cilët autori ka mendim krejt pozitiv. Madje Ilirët, të paret e shqiptarëve për koincidence gjarprin e kishin simbol të respektuar, shqiptaret e ruanin me kujdes gjarprin e shtëpisë dhe e konsideronin mbrojtës të saj. Tek e fundit, a mundet Vetoni ta mohoj prezencën e “këmbëve të gjarprit” në kompaninë e tij “Koha”? Pastaj mos është edhe vet libri një farë gjarpri më këmbë të fshehura?! Kushdo që e rishfleton koleksionin e “Kohës Ditore” të periudhës së luftës çlirimtare, me të gjitha ato lajme, kronika, komunikata, intervista, raporte nga terreni të gazetarëve të guximshëm e objektivë, rezulton një tjetër Veton, jo ky i sotmi i “Këmbëve të gjarprit” ka shkruar mes tjerash Krasniqi.

















