Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se posti i kryetarit të Kuvendit i takon ekskluzivisht vetëm PDK-së, si parti fituese e zgjedhjeve dhe si grupi më i madh parlamentar. Krasniqi më tej ka thënë se janë të hapur për diskutime me bllokun LAN, mirëpo nuk bëjnë kompromise me vullnetin e dhënë nga qytetarët. Sipas tij PDK-ja nuk mund të heq dorë nga posti i kryeparlamentarit për shkak se kjo është e drejtë e PDK-së e garantuar me Kushtetutë. Ndërsa sa i përket postit të kryeministrit Krasniqi ka thënë se qytetarët kanëtreguar përmes votës së tyre se kush duhet të jetë shef i Qeverisë së re.
“PDK fton partitë tjera që të heqin dorë nga bllokada e institucioneve. PDK mbetet e hapur për të bashkëpunuar me partitë e tjera për zgjedhjen e problemeve duke respektuar kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve. … Ne jemi të hapur të diskojmë por nuk do të bëjmë kompromis që të heqim dorë nga vullneti që kanë dhënë qytetarët”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, blloku VLAN në asnjë rrethan nuk mund ta zgjedhë e madje as ta propozoj kandidatin për kryetar të Kuvendit. Sipas tij një gjë të tillë nuk e mundëson as Kushtetuta e vendit dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja dhe elektorati i saj janë shumë të gatshëm për zgjedhje, mirëpo sipas tij ky duhet të jetë opsionin i fundit.














