Arben Vata
Brenda më pak se një viti, Edi Rama gjendet përpara një prove të fortë për një udhëheqës dhe sërish, sikurse me armët kimike, ai po tregon se nuk ka “kollare” prej burri shteti. Sërish ai gjendet në një pozicion të vështirë mes popullit të vet nga njëra anë dhe politikanëve inatçorë ballkanikë, si dhe diplomacisë ndërkombëtare nga ana tjetër. Në një pozitë të tillë aspak komode, kostumi i Ramës si kryeministër i rri atij shumë ngushtë. Dhe kjo për disa arsye.
E para, Rama ka pranuar një rol të pakuptimtë për një udhëheqës politik të një vendi, që thuajse i lutet kryeministrit serb që ta ftojë atë në Beograd në mes të kësaj jave. Homologu serb, që mesa duket ia ka kuptuar tipin Ramës, po luan me të dhe deklaroi se do të njoftojë në fundjavë nëse Rama do të shkojë në Beograd apo jo. E dyta ka të bëjë me klimën që mbizotëron në Shqipëri dhe kudo ku ka shqiptarë lidhur me qëndrimin ofendues serb ndaj nesh, e shfaqur së fundi në ndeshjen e kombëtares të martën, si dhe në një derbi beogradas të shtunën që lamë pas. Rama po kërkon të kryejë takime dhe bisedime me palën serbe kundër dëshirës së shumicës së shqiptarëve. Sigurisht që një udhëheqës nuk ndjek gjithnjë instinktet e qytetarëve, por kur në pyetje është dinjiteti kombëtar, mohimi i popullit është një lëvizje që mund t’i kushtojë jo pak karrierës së Ramës. E treta lidhet me pritshmëritë e bisedimeve mes dy palëve dhe rezultatet e takimeve mes tyre. Çfarë do t’u thotë p.sh Rama, drejtuesve të shtetit dhe qeverisë në Serbi, kur t’i kujtojnë atij sërish se ne jemi popull që na duhet edhe një shekull që të emancipohemi dhe të bëjmë shtet?! Nuk mendoj se buzëqeshja është akti i duhur diplomatik në këtë rast. Dikush thotë se Rama është i zoti në batuta, por në Beograd shkohet për të mbajtur qëndrim dhe jo për të treguar oratorinë.
E katërta është roli i Ramës në Ballkan, rol që mbështetësit e tij ia atribuojnë si lider i Ballkanit….Në fakt, nuk luan dhe nuk ka luajtur asnjë rol në rajonin tonë, madje as edhe në Kosovë. Prishtina është prej disa muajsh në një krizë politike dhe institucionale dhe deri tani nuk është parë ndonjë kontribut i Ramës për tejkalimin e këtij ngërçi politik mes shqiptarëve. I vetmi kontribut i Ramës për trevat shqiptare është ai në Luginën e Preshevës, ku pritet të kryejë disa inaugurime. E pesta arsye se përse Ramës i rri ngushtë kostumi i kryeministrit është fakti se për të, kjo do të ishte thjesht një vizitë që përmban rekorde në aspektin personal. Rama do të ishte kryeministri i parë shqiptar, pas Enver Hoxhës, që do të mbërrinte me këtë petk në Beograd. Në këtë aspekt, megjithatë Rama nuk mund të mburrej edhe pse ndryshe nga Enver Hoxha me kostum ushtarak, do të mbërrinte në Beograd me kostum të zi e mbase kollare të kuqe. Pavarësisht prej koincidencës se ai do të jetë i pari kryeministër shqiptar pas diktatorit Hoxha që mbërrin në Beograd, ka mjaft arsye për të cilat Rama do të duhej ta shtynte për më vonë vajtjen e tij në Serbi.
Së pari, jo vetëm shqiptarët, por edhe vetë serbët janë me gjak të nxehtë. Në këto kushte, bisedimet nuk mund të ishin produktive dhe për më keq, mund edhe ta rëndonin edhe më tej situatën e nderë që ekziston. Serbët deri tani po shfaqin vetëm urrejtje dhe tone ofenduese, pavarësisht se Rama dhe politika shqiptare po tregohet më se e kujdesshme për të mos i hedhur benzinë zjarrit. Kujt do t’i shërbente p.sh, një proteste masive apo gurë e vezë të hedhura ndaj Ramës dhe delegacionit shqiptar në Beograd?! Të thuash se kjo do t’i tregonte edhe njëherë Europës se serbët janë kafshë dhe ne të civilizuar nuk ka më kuptim, pasi skenat e këtyre ditëve janë të mjaftueshme dhe bindëse për këdo; edhe për Brukselin në këtë rast. Së dyti, të pretendosh që serbët të të kërkojnë falje në shtëpinë e tyre është njëlloj sikur të pretendosh se serbët janë gati ta njohin që sot shtetin e Kosovës. Së treti, Rama nuk ka pse tregohet më modern sesa duhet në kurriz të dinjitetit të çdo shqiptari. Ka shumë njerëz që këtë argument e cilësojnë të përshtatshëm për njerëzit e xhunglës, por edhe ta shtrish gjithnjë kurrizin dhe të mos reagosh të paktën me indiferencë ndaj atyre që të provokojnë e të rrahin, nuk është se të nxjerr gjëkundi. Kryeministri sigurisht këtë herë do të neglizhojë zërin e qytetarëve dhe me të ardhur ftesa do të ndalë vrapin në Beograd, por më shumë do të humbasë sesa do të fitojë kredite në opinionin publik. Snobistët e tipit që Taulant Xhakën e krahasojnë me Adem Jasharin, duke aluduar edhe për qëndresë të panevojshme të heroit tonë, nuk janë zërat që duhet të dëgjojë kryeministri. Ky soj njerëzish gjithnjë është bërë palë me udhëheqësin e radhës, duke ndërruar sipas ngjyrës së pushtetit edhe kostumin e tyre publik.
















