Kostandin Xhuvani pritet te njihet sot me masen e sigurise ne gjykaten e Tiranës. Prokuroria e Tiranës ka dërguar në Gjykatë kerkesën për arrest me burg për Kostandin Xhuvanin dhe Eraldo Sidën, i pari i akuzuar për vrasjen e katërfishtë të së martës, i dyti për dhënie ndihme të autorit të krimit dhe dhënie parash për ushtrim prostitucioni.
Ne këtë kërkesë jepen detaje të hollësishme se si u vranë 4 personat dhe kush i qëlloi ata. Rrethanat nisin me telefonatën e mbërritur në sallën operative në oren 4.20.
Patrulla e parë e policisë ka parë një automjet Mercedes ML me targa TR 0250 N në të cilin po hipnin disa persona. Sapo makina e policisë është afruar, një person i veshur me kostum tuta gri ka dalë nga automjeti dhe është larguar me vrap duke mbajtur një pistoletë në dorë.
Ky person është ndjekur nga një punonjës policie, i cili pas 50 metrash e ka neutralizuar. Bëhet fjalë për Kostandin Xhuvanin.Pistoleta u gjet në të njëjtin vend. Ajo i kishte numrat e fshirë.
Më pas, në ambientin e brendshëm të lokalit “Ante Grand” përballë shkalleve në zbritje, policia ka gjetur të shtrirë me shpinë ngjitur njëra -tjetrës kufomat e dy shtetasve, Edison Jahaj dhe Enea Xhaj.
Pranë kufomave është gjetur një armë zjarri pistoletë me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me krehër. Gjithashtu në ambientin e brendshëm të lokalit janë gjetur të shpërndara në formë të ç’rregullt gjashtë gëzhoja dhe predha të dëmtuara.
Në automjetin nga doli Kostandin Xhuvani, në ndenjësen e pasme është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Arbër Demiraj.
Nga aktet hetimore ka rezultuar se Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Sida e Alban Ballcaj kanë shkuar në lokal dhe janë ulur në tavolinën e fundit të tij, e cila rezulton se ishte pranë një koltuku në të cilin gjendeshint Edison Jaho dhe Enea Xhaj.
Mes tyre ka patur një konflikt. Xhuvani e Demiraj kanë patur edhe armë zjarri me vete. Pas ndërhyrjes së shtetasit Anton Binaku, roje sigurie në lokal shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë me pas me pistoleta në duar.
Nga dëshmitë e personave ne vendngjarje ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë ka qënë Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola.
Sipas aktit të ekspertimit kimik gjurmëkopjuesish ka rezultuar se në asnjë nga personat e tjerë nuk ka patur nitrite, të cilat janë të pranishme dhe tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes me armë zjarri.
Ky material është gjetur vetëm në naterbanin e dorës së djathtë të Kostandin Xhuvanit.
Gëzhojat, sipas ekspertizës balistike, rezulton se kanë dalë nga pistoleta me numra të fshirë, e gjetur në vendin ku u arrestua Kostandin Xhuvani. Pra, Prokuroria thotë se vrasja e të 4 personave është kryer nga kjo armë.
Në pistoletën tjetër, që i përket Arbër Demirajt ka patur 1 fishek në gojë dhe 6 në karikator, dhe nuk është qëlluar.
Në dosjen e Prokurorisë janë edhe disa pamje filmike të kamerave të semaforit që gjendet përballë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja.
Paralelisht me hetimin e Prokurorisë për masakrën me 4 viktima, mësohet se policia e Tiranës po heton mbi aktivitetin e paligjshëm që ushtrohej në lokalin ku ndodhi ngjarja, pasi dyshohet se në të kishte vajza që u ofroheshin klientëve kundrejt pagesës.
















