Në dhomat e kësaj Klinike qëndrojnë pacientë, të cilët kryesisht vuajnë nga sëmundjet që shkakton duhani. Mantelbardhët bëjnë të ditur se 400 kosovarë çdo vit vdesin nga konsumimi i duhanit.
Para shëndetit e zgjedhin cigaren
Specialisti i pneumologjisë, Skender Baca, tregon për “Zërin” se gjatë përvojës së tij me duhanpirësit nuk ka hasur të gjejë persona të penduar për shkak të bashkëjetesës me duhanin.
Përkundrazi, sipas doktorit, pacientët ndjejnë krenari që kanë konsumuar duhanin dhe vazhdojnë të kenë pranë pakot e stërmbushura me cigare edhe në momentet kur atyre u kërkohet e kundërta.
“Para shëndetit e vendosin cigaren. Në Amerikë është bërë një studim i cili tregon se kanceri nuk i ka shtyrë njerëzit ta lënë duhanin. E kur është rritur taksa, atëherë është parë rënie shumë e madhe e duhanpirësve. Edhe në Kosovë ligji, propaganda shëndetësore, mediet ndikojnë pjesërisht, veç një për qind. Ajo që do të bënte ndryshime në vendin tonë është rritja e çmimit të duhanit”, tregon doktori.
Nxënësit e fillojnë duhanpirjen nën moshën 15 vjeçare
Është kthyer në normalitet që fëmijët të tymosin duhan. Madje, të mos pengohen nga askush teksa tymosin nëpër rrugë, pranë objekteve shkollore, dhe brenda tyre, sidomos nëpër tualete, teksa ndërmjet orëve gjatë pushimeve të shkurtra ikin dhe futen nëpër korridoret e komplekseve banesore aty afër për të tymosur duhan…
Sipas Agjencisë së Statistikave, përqindja e personave të moshës 15-49 vjeçare që kanë tymosur një cigare të plotë para moshës 15 vjeçare përfshin femra 4.9 për qind dhe meshkuj 29.1 për qind.
Çlirim Gërbeshi, nxënës në vitin e dytë në shkollën e mesme “Shtjefën Gjeçovi”, thotë se pirja e duhanit fillon rreth moshës 15 vjeçare, por tek disa edhe më herët.
“Kjo sepse një i ri 14 ose 15 vjeç i cili e ka një shok të moshës 17 ose 18 vjeç mund të ndikohet prej tij dhe të fillojë pirjen e duhanit, drogës e alkoolit”, tregon ai.
Gërbeshi thotë se duhani pihet shumë edhe brenda shkollës.
“Më së shumti pihet duhani nëpër tualete, por ka raste edhe në korridor të shkollës, e mos të flasim për oborrin në të cilin pihet në masë të madhe”.






















