CNN ka botuar një seri me 6 pjesë të shkëputura nga libri “Thirty-One Nil”, duke përfshirë një kapitull për Kosovën
CNN ka botuar një seri me 6 pjesë të shkëputura nga libri “Thirty-One Nil” (31 me 0) i autorit britanik James Montague. Seria e titulluar “Odiseja e Kupës së Botës – Në rrugë me të lënit jashtë nga Futbolli” ka një pjesë kushtuar Kosovës dhe përpjekjes së saj për të marrë pjesë në turnetë ndërkombëtarë përfshi edhe eliminatoret e Kupës së Botës që fillon këtë javë në Brazil.
Montague tregon një histori që ka ndodhur në shtator të vitit 2012 në Zyrih të Zvicrës ku ka takuar dy përfaqësues të Federatës se Futbollit te Kosovës Fadil Vokrrin dhe Eroll Salihun. Vokrri dukej se ishte kryesori, shkruan ai, por për të folur fliste Errolli, duke shpjeguar gati në faj se kjo vinte nga që mund të fliste lirisht në anglisht.
Artikulli tregon se Vokrri ka qenë një lojtar me nam në ish Jugosllavi, madje i vetmi kosovar qe ka arritur të luaj në përfaqësuesen e Jugosllavisë në garat ndërkombëtare. Kosova është një vend i panjohur dhe relativisht i vogël, shkruan ai, por për kundër kësaj ka arritur të nxjerrë talente të dëshmuar në fushën e blertë.
Artikulli konstaton se problemi është se në mungesë të njohjes së Kosovës nga ana e UEFA-s dhe FIFA-s talenti i futbollistëve kosovarë ka përfunduar diku tjetër. Fadili dhe Erolli e kanë kuptuar se marrja e pëlqimeve nga këto dy instanca do të paraqiste rast të mirë që kosovarët ta konsolidojnë një ekip të fuqishëm futbolli.
“Kosova synon anëtarësimin në UEFA dhe FIFA. Lufta e Kosovës në 1999 nuk solli dot pavarësi të plotë nga Jugosllavia. Ajo mbetet e panjohur nga Kombet e Bashkuara ku Rusia, aleate e fortë e Serbisë, ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Brenda UEFA-së 37 nga 53 anëtarët e tij e njohin Kosovën si shtet, por kjo nuk është e mjaftueshme. UEFA ndryshoi statutin e saj me kërkesë të shteteve që nuk e njohin Kosovën, në mënyrë që, për t’u bërë një anëtar, duhet së pari të jesh anëtar i Kombeve të Bashkuara. Tani ekipi i Kosovës është mbërthyer në harresë, e njohur pjesërisht, por jo të mjaftueshëm” thuhet në artikull.
Disa muaj më parë, Sepp Blatter njoftoi se Kosova do të lejohej të luante ndeshje ndërkombëtare miqësore me vende anëtare të FIFA-s, një lëvizje e cila ka shkaktuar një reagim të madh në Serbi. Ndësa në Zvicër ekziston shqetësimi që lejimi i Kosovës për të luajtur do t’i tërhiqte futbollistet kosovarë nga ky vend.
Kjo besohet që e beri Sepp Blatter ta shtyjë vendimin për 6 muaj për lejimin e Kosovës që të luaj miqësore në arenën ndërkombëtare.
Artikulli citon Eroll Salihun teksa ka vlerësuar se Kosova do të kishte talente edhe me të shkëlqyer sikur të mos ishte represioni dhe aparteidi i shkaktuar nga Serbia gjatë periudhës 1989–1999, e cila suprimoi të gjitha institucionet e Kosovës duke pamundësuar edhe sportin. Pas vitit 1999, kur Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar, sporti nuk u trajtua si prioritet. Pra u bënë rreth 20 vite që Kosova është shumë pasive ndaj sportit duke dëmtuar, dekurajuar dhe anashkaluar shumë talente kosovare në sporte të ndryshme.
Kosova ka pasur fatin e keq, ngaqë SHBA nuk janë në futboll shumë të fortë si në politikë, sepse po të kishin qenë amerikanet me të angazhuar në federata të futbollit, do t’i jepnin Kosovës një shtytje dhe përkrahje shume të fuqishme, ashtu siç ka ndodhur në politikë, ka vlerësuar Erolli. Përgatiti Bekim Salihu
















