Serie A futet në karantinë, ku si pasojë e frikës nga Koronavirus, një pjesë e mirë e ndeshjeve në program për tu zhvilluar këtë të diele u shtynë, një prej tyre ishte dhe Inter-Sampdoria. Kjo çështje nuk mbyllet këtu, rastet në rritje dhe situata alarmante, ka bërë që dhe e ardhmja të jetë e paqartë, në një kohë kur sezoni është në kulm dhe parashikohen ndeshje që në mesjavë, ku luhet për Champions dhe Europa League.
Inter pret këtë të enjte Ludogorets për ndeshjen e kthimit dhe sipas ANSA, që i referohet disa burimeve të sigurta në UEFA, kjo ndeshje mund të zhvillohet në një stadium neutral ose në “San Siro” por vetëm me një kusht, ndeshje duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura pa praninë e tifozëve. Frika për përhapjen e virusit është e madhe, aq sa klubi i Ludogorets i ka dërguar një letër Inter për të mësuar më shumë rreth situatës pasi parashikohen që në Itali të udhëtojnë rreth 600 tifozë bullgarë. E sigurt është që ndeshja do të zhvillohet, por mbetet për tu përcaktuar ku dhe si.
Në pikëpyetje të madhe është dhe derbi i Italisë, Juve-Inter në program për këtë të diele. Sipas mediave italiane është thuajse e pamundur që kjo ndeshje të shtyhet por dhe në këtë rast diskutimi është i njëjtë, në fushë neutrale apo pa tifozë. Për klubin bardhezi por dhe për imazhin e Serie A kjo është një humbje e madhe. 500 milionë spektatorë në të gjithë botën janë në pritje të këtij takimi por mund ta shijojnë pa zë, pa tifozë. Për Juven një ndeshje pa tifozë do të thotë afro 5 milion euro humbje.



















