Me përhapjen e koronavirusit në Italinë fqinje, në Shqipëri janë shtuar masat në pikat kufitare me dyfishimin e personelit mjekësor dhe me ambiente të posaçme intervistimi për personat që vijnë nga shtetet me risk. Në aeroportin e Rinasit, në portet e Vlorës e Durrësit, dhe në pikat e tjera në vend, janë shtuar edhe masat mbrojtëse, me dizifektues, maska, dhoma izolimi provizor pranë këtyre pikave, për t’u spostuar më tej në karantinë spitalore nëse është e nevojshme.
Kontrolli i parë në kufi është përmes një aparature për matjen e temperaturës. Rastet që marrin vëmendjen e autoriteteve janë të ardhurit nga Kina, apo që kanë pasur historik me këtë shtet, ata nga Italia, por edhe vende si Gjermania, Turqia apo Vjena.
Ministrja Ogerta Manastirliu rikonfirmoi se nuk ka asnjë rast me koronavirus në Shqipëri dhe kwrkoi nga media qw tw raportojw vetwm informacione qw jepen nw rrugw zyrtare, duke vwnw nw dukje se nuk ka vend pwr panik.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu, tha se çdo informacion duhet marrë në rrugë zyrtare, nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe jo përmes burimeve të tjera që ministrja i quajti të rreme siç është rasti i audios që qarkulloi dje në Whatsapp ku një vajzë fliste për 12 raste të infektuarish në vendin tonë. Shqipëria deri më tani nuk ka asnjë rast me koronavirus.
“Ju kemi informuar për rastet e mundshme, ku 6 raste që janë analizuar nga ISHP kanë rezultuar negative”, theksoi ministrja. “Jemi të përgjegjshëm dhe duhet të ecim me transparencë maksimale me publikun, për të gjitha masat që jemi duke ndërmarrë. Komunikimin me publikun e kemi thelbësor për të shmangur çdo dezinformim. Edhe dje jo pak mesazhe kanë qarkulluar që kanë nxitur panik. Nuk është koha që paniku t’i zë vendin arsyes.
Është koha të vlerësojmë dhe dëgjojmë ekspertët, që në Shqipëri nuk mungojnë, të cilët po ndjekin planin e veprimit të miratuar nga task-forca dhe strukturat në qeverinë shqiptare. Dua t’iu ftoj si media për t’iu pasur bashkëpunëtorë ashtu si dhe qytetarë, në një situatë që nuk kërkon panik, por përgjegjësi, transparencë dhe racionalitet. Jemi përballur dje me mesazhe të rreme, të cilat menjëherë kemi informuar nëpërmjet Ministrisë për jo vërtetësinë e tyre”, tha ministrja e Shëndetësisë.



















