Presidenti Bujar Nishani priti sot në takim një delegacion të Partisë Politike “Uniteti” me seli në Shkup, të kryesuar nga kryetari i kësaj partie, Gëzim Ostreni.
Në takim, u diskutua rreth situatës politike në Maqedoni dhe kontributin e shqiptarëve në stabilitetin dhe zhvillimin e shtetit të Maqedonisë, bëjnë me dije burime nga zyra e shtypit pranë Presindecës.
Presidenti shprehu qëndrimin e tij lidhur me zbatimin e Kushtetutës së Maqedonisë dhe në frymën e saj zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, si një fondament i respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe krijimit të klimës së besimit të ndërsjellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, në të mirë të paqes dhe stabilitetit në Maqedoni.
Kreu i Shtetit shprehu qëndrimin e tij për një frymë sa më të mirë bashkëpunimi jo vetëm mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por edhe me të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë.
Ndërsa, Ostreni e informoi presidentin Nishani mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe vështrimin në perspektivë të Partisë Politike “Uniteti”, për daljen nga kjo situatë dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të Maqedonisë për paqen dhe sigurinë e saj.















