Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, së bashku me stafin e ministrisë çuan pranë Qendrës Tranzitore të Emergjencës për komunitetin rom, ruletat e rikonstruktuara nga nxënësit e shkollave të arsimit profesional gjatë Olimpiadës së Aftësive, si edhe produkte të tjera të vetë nxënësve të prodhuara gjatë panairit.
Ministri Klosi bëri me dije se në këtë qendër do të vijojnë të punojnë nxënësit e profileve të arsimit profesional për sistemimin e mëtejshëm të këtyre ambienteve. Ai tha se për këtë komunitet do të ngrihet një mensë dhe do të hapet gjithashtu edhe një qendër e formimit profesional.
“Bashkë me bashkinë do të punojmë për hapjen e mensës. Do të hapim gjithashtu qendrën e formimit profesional që gjatë kësaj vere. Qëllimi është që ky komunitet të integrohet, përmes kurseve të formimit, të jenë të gatshëm për një punë. Arsimimi i fëmijëve dhe punësimi i këtij komuniteti është zgjidhja për integrimin e tyre të plotë”, tha ai.
Gjatë këtij aktiviteti, këtij komunitet u bë i mundur ndriçimi 24 orë i ambienteve përmes një sistemi të tërë panelesh diellore të instaluara nga një grup vullnetarësh amerikanë që kanë punuar prej disa kohësh për këtë projekt. Ndezja për herë të parë të sistemit ndriçues të ambienteve të jashtme të qendrës u shoqërua me një ndeshje futbolli të ministrit Klosi me fëmijët e skuadrës “Retë e Zeza” të komunitetit rom.
/ G.S. /
















