Një ditë pasi zv/ambasadori amerikan në Tiranë tha se investitorë amerikanë dhe të tjerë të huaj po largohen nga Shqipëria për shkak të gjyqësorit të korruptuar, sot Qeveria ka organizuar një aktivitet për klimën e biznesit së bashku me disa investitorë e përfaqësues të Dhomave Tregtare, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.
Duke folur në këtë aspekt, Rama sulmoi indirekt Dhomën Amerikane të Tregtisë, e cila ishte e pranishme në aktivitet.
“Se këtu në sallë ka dhe disa që kanë dalë kundër aksionit për informalitetin, përfaqësues Dhomash Tregtie kundër! Dhe nuk ma tregojnë dot se si do ta kishim formalizuar apo do të kishim regjistruar ne 42 mijë biznese të reja, pra që për herë të parë pranonin t’i nënshtroheshin ligjeve të këtij vendi dhe të rergjistroheshin në rast se ne nuk do të kishim nisur një operacion kundër informalitetit që nuk ishte perfekt se s’mund të ishte perfekt, por që rezultatet flasin që ishte një ilaç shumë i rëndësishëm për të kuruar”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.
Dhoma Amerikane e Tregtisë disa kohë më parë ka kritikuar Qeverinë për masat e ashpra dhe ndëshkuese për luftën kundër informalitetit.















