Kina do të ndërtojë Rrugën e Arbrit në Shqipëri. Lajmin e publikoi sot Kryeministri Rama nga Beogradi, i cili po merr pjesë në Samitin e Kinës.
Rama shkruan sot në Fb: “U nënshkrua mbrëmë Memorandumi i Bashkëpunimit me “Chinese Exim Bank” për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kinës do të jetë Rruga e Arbrit, e cila do të nisë vitin e ardhshëm.”
Projekti i Rrugës së Arbrit ka hapur debate ndërmjet Kryeministrit dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, i cili ka deklaruar se mazhoranca po firmos projektet e gjetura gati. Por, Kryeministri e ka vazhduar replikën duke shkruar në rrjetet sociale:
“Rruga e Arbrit ishte gati?! Po, si gjithë gropat e tjera të borxheve zinxhir në qafën e shqiptarëve! Një vit negociata për të mos rënë brenda. Tani po, është gati me një formulë të re partneriteti, që do të promovohet nga Kryeministri kinez në Samitin e Beogradit si një financim inovativ!”
















