Bisedë ekskluzive për Dialogplus me shkrimtarin dhe publicistin e njohur në Maqedoni, Kim Mehmeti
Protestat duhet të mbahen aty ku e kanë vendin – te sheshi qëndror i Shkupit. Partitë politike shqiptare s janë gjë tjetër vetëm zëdhënëse të sunduesit maqedonas
A duhet të vazhdojnë protestat dhe pse të mos mbahen në qendër të Shkupit?
Kim Mehmeti: Protestat duhet të vazhdojnë, ato duhet të jenë paqësore dhe zëri i arsyes së rinisë shqiptare. Në ndërkohë shihet qartë se policia maqedonase dëshiron ato protesta të mbahen në lagjen e ‘Bit-Pazarit’, aty ku dominojnë tregtarët shqiptarë, me qëllim që ata të dëmtohen më shumë nëse ndodh ndonjë ekses. Shkurt e shqip: këto protesta duhet të mbahen aty ku e kanë vendin – te sheshi qendror i Shkupit. Ngaqë kështu del se policia maqedonase ua përcjell këtë porosi shqiptarëve: mund të protestoni ku të doni, por vetëm nëse nuk i shqetësoni maqedonasit!
Partitë politike shqiptare janë në heshtje dhe nuk shihet se e artikulojnë zëra përkrahës, por e kundërta?
Kim Mehmeti: Partitë e këtushme shqiptare as tani, as kurdo qoftë më parë, nuk e kanë zërin e vet, por kanë qenë zëdhënëse të sunduesit maqedonas. Andaj, është e kotë të presësh nga ato të thonë çka do qoftë, pa ua lejuar atë VMRO-ja.
Jeni zëri i vetëm «kryengritës» në atë lumë të madh të intelektualëve, akademikëve e…?
Kim Mehmeti: Çdo njeri ka te drejte ta bëjë atë që e vlerëson si më të dobishme për veten e për interesin më të gjerë. Më në fund, ka periudha kohore kur ndodhin ngjarje, të cilat nuk i verifikojnë vetëm elitat politike, por edhe ato shkencore, kulturore… Andaj, këto protesta të rinisë shqiptare do të na delegjitimojnë edhe të gjithë ne alamet shkrimtarë, profesorë, intelektualë e doktorë të shkencës…















