| Demokratët mbledhin Këshillin Kombëtar të Partisë, për të zgjedhur strukturat e reja drejtuese. Ajo që ka ngjallur interes është fakti se si do të shkojë gara për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Për këtë post, deri më tani janë renditur Eduard Selami, Enkelejd Alibeaj dhe Arben Ristani. Këshilli Kombëtar pritet të mblidhet në selinë e partisë. Po kështu do të votohet për drejtuesit e 22 departamenteve dhe 6 sekretarëve, si dhe për 2 nënkryetarët e partisë. Në fillim të mbledhjes së këshillit pritet që Kryetari i PD-së të bëjë një analizë të situatës politike që po kalon vendi, ndërsa në rend të ditës është zgjedhja e strukturave. Kryetari i PD-së, Basha shpalli më datë 30 tetor garën për sekretariatet dhe departamentet e reja të PD-së. Me anë të një udhëzimi të posaçëm, kryetari i Partisë Demokratike ftoi anëtarët e Partisë Demokratike që plotësonin kriteret të aplikonin për të kandiduar. Aplikimet për konkurrim startuan procesin e kandidimit dhe garimit për 22 departamente dhe 6 sekretariate. Drejtuesit e ardhshëm të departamenteve dhe sekretariateve do të zgjidhen me votë nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike. Në statutin e ri të PD-së, të miratuar shtatorin që shkoi, u përcaktua si risi ngritja pranë PD-së e departamenteve, të cilat janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat shërbejnë për formulimin e programit elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PD-së. |
















