Së fundmi Këshillin e të Urtëve të BDI-së, e kanë komentuar edhe analistët Ramadan Ramadani e Gjakush Kabashi, në shkrimet e tyre autoriale për ‘Portalb’. Përderisa njëkohësisht, vazhdojnë dilemat në opinionin se kjo ide a u vodh nga Këshilli i të Urtëve nga seriali turk ‘Lugina e Ujqve’, apo thjesht është si një lloj ‘sekti’ fetar?
Gjakush Kabashi shkruan, – “Trupi i emëruar si “Këshilli i të urtëve” që parashihet me Nenin 74 të Statutit të ri të Bashkimit Demokratik për Integrim, meriton të patentohet si zbulim i politikës shqiptare. Për fat të keq, është një “risi” që do ta zhdukë edhe atë pak fije pluralizmi që ka mbijetuar disi në shoqëri dhe brenda partisë. I përkufizuar si trup orientues, këshillëdhënës dhe mbikëqyrës, “Këshilli i të urtëve” do të përbëhet nga 7 anëtarë me mandat të përjetshëm. Për fat, nuk garantohet trashëgimia e pozitës mbi brezin e ardhshëm, ndonëse ruajtja e orientimit të përpiktë garantohet me dispozitën sipas së cilës vendimet e Këshillit janë të detyrueshme dhe përfundimtare për partinë. Në aspektin praktik, ky Këshill do t’i aprovojë kandidaturat për deputetë, ministra e drejtorë, duke i pezulluar të gjitha vendimet e trupave tjerë partiakë – përveç atyre të Kryetarit të partisë, që në fakt i emëron anëtarët”.
Ndërkaq, Ramadan Ramadani mendon se, “Me aq sa u shkrua zyrtarisht brenda dokumenteve partiake nuk ka asnjëfarë problemi me realizimin e një kësi ideje, por problem shumë i madh dhe qenësor paraqet përfolja e disa ingerencave që u paralajmëruan. Sipas atyre i bie që brenda BDI-së do formohet një “sekt” i cili do zhbën partinë politike pasi ndryshe nuk mund të kuptohen ingerencat e mëdha të palegjitimuara dhe mandatet e përjetshme. Nëse nuk është shaka apo keqinterpretim, pasi ende duket e pabesueshme që dikush brenda partisë të voton për një organ kësisoj që do ketë ingerenca të ndryshon apo të mos pranon vendimet partiake që sillen me zgjedhje ose procedura tjera që janë legjitime dhe demokratike, atëherë vetëm nëpërmjet të kuptuarit e sektit dhe mekanizmave të funksionimit të tij do mund të shpjegohej ky “këshill i të urtëve”.
Nëse ky organ i BDI-së zyrtarizohet me kësi ingerenca ai organizim politik pastaj më nuk do mund të trajtohet sipas parametrave politike, por ndoshta vetëm si trajtohen sektet, që legjitimitetin e marrin diku tjetër. Kështu duke sqaruar se BDI në fakt është ndonjë sekt që për një kohë ka vepruar nën emblemën e një partie politike, ose ka qenë parti politike që ja tani mendon të shndërrohet në një sekt. Pasi, mandatet e përjetshme dhe ingerencat absolute mund të hasen vetëm nëpër sekte e assesi në organizime tjera politike. Pra, nuk qëndron problemi në emrin, përbërjen ende misterioze ose të tjera nga kjo iniciativë por në ingerencat dhe mandatet e përjetshme”.
Tutje Kabashi shkruan, – “Për krahasim historik, sepse gjërat mund të harrohen ose qëllimisht të shlyhen nga ri-hartuesit e historisë politike, vlen të ceket që partia e parë politike e regjistruar në Republikën e Maqedonisë ka qenë pikërisht një subjekt shqiptar – Partia për Prosperitet Demokratik. Tani, nëse bëhet një paralele prej 25.05.1990 deri në qershor të vitit 2014, kur është aprovuar ky Statut, mund të shihet qartë se në çfarë derexhe ka ardhur organizimi politik shqiptar në Maqedoni.
Përtej kufijve të vendit, trupat e këtillë absolutistë, të vetë-emëruar dhe të përjetshëm nuk ekzistojnë askund. Të gjitha krahasimet vijnë nga Azia dhe janë të përafërta, assesi të njëjta.
Në Iran, për shembull, Këshilli i Gardianëve i Revolucionit Islamik ka 12 anëtarë, gjysma e të cilëve emërohen nga Parlamenti. Pavarësisht të metave, madje edhe Këshilli iranian i jep anëtarëve mandate gjashtëvjeçare dhe jo të përjetshme. Pak më tutje, në Kinë, Politbyroja e Partisë Komuniste ka 25 anëtarë që zgjidhen nga Komiteti Qendror, që do të thotë se megjithatë, qoftë edhe në aspekt formal, ka një zgjedhje kolektive. Duke i njohur mangësitë e mandateve të përjetshme, kinezët që njihen për qeverisje autoritare e kanë të kufizuar moshën e anëtarëve, duke i pensionuar ata në moshë shtatëdhjetëvjeçare. Për fund, edhe një Loya Jirga e Afganistanit dallon nga “Këshilli i të urtëve”, meqë i bashkon kryesuesit e fiseve të ndryshme dhe nuk është organizim monist”.
Ndërkohë, Ramadan Ramadani thekson, – “Në opinion pati disa sqarime se kjo mund të jetë në fakt vetëm shpikje e një organi dhe poste partiake sa për të kënaqur disa anëtarë të rëndësishëm të partisë që kanë mbetur të habitur dhe të pakënaqur deri më tani me politikën e BDI-së dhe sidomos me negociatat për mandatin aktual në pushtet me DPMNE-në. Njashtu edhe tjera si ajo se në fakt kjo është një ide e vjedhur nga aktivistë që të njëjtën e kanë propozuar më herët, e deri tek ajo se është një imitim i “të urtëve” nga një film serik turk. Por, shkaku i kësisoj ingerencave mbetet një rast unik në historinë e politikbërjes në botë dhe mund të evidentohet vetëm nën kaptinën e bashibozukllëkut politik. Aty ku nuk ka shumë lidhje se si bëhet qeverisja e që vazhdon vetëm deri sa të mundet”.
















