AAK përmes një deklarate për media, kërkesën e Ambasadës së Turqisë në Prishtinë që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa ligjore ndaj gazetarit Berat Buzhala, e ka quajtur të pavend dhe të panevojshme.
“Kërkesa e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë, që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa ligjore ndaj gazetarit Berat Buzhala, për shkak të një satatusi të tij në Facebook, që lidhet me ngjarjet në Turqi, aq më tepër kur ai është publikuar në cilësinë e një satire, konsiderojmë se është e pavend dhe e panevojshme”, thuhet në deklaratë.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është kundër cenzurimit të çdo mendimi ndryshe, posaçërisht nëse ai është joformal dhe i mveshur me elemente satirike, si në rastin konkret, i cili besojmë se nuk mund të jetë në kundërshtim as me ligjet e Kosovës”.
AAK thotë se Kosova është përcaktuar në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe rrjedhimisht liria e shprehjes dhe e mendimit, është ndër vlerat themelore të këtij përcaktimi si dhe zhvillimit si shoqëri dhe si shtet.























