Kreu i Qeverisë, Rama tha se pas 25 vitesh qyteti i Kavajës po sheh dritë. Ai ka thënë se Qeveria po bën atë që në 20 vite nuk e bëri Qeveria e mëparshme. Rama ka deklaruar se nga viti 2005 deri n vitin 2013 janë shpërndarë 461 legalizime, dhe pjesa më e madhe ka qenë për lokale, ndërsa në më pak se një vit po shpërndahen 500 legalizime dhe pjesa më e madhe është për shtëpi.
“Sot ka rëndësi ky takim për faktin se në 8 vjet, ata të cilët e morën 20 vjet rresht pa kushte votën tuaj, bënë vetëm 461 legalizime, ne sot bëjmë 500 legalizime, që janë rezultat i një punë më pak se një vit i vetëm. Jo vetëm kaq, por edhe në Kavajë e njëjta histori, nga 461 legalizime, 80% ishin hotele, restorante, motele por jo shtëpi, ndërsa që 500 legalizimet sot janë shtëpi të atyre me gjak e me djersë, kanë pritur në radhë, kanë paguar disa herë. Sot ata e marrin atë që ju takon dhe e marrin falas”, u shpreh Rama në fjalën e tij.
Ndërsa ai theksoi se ditën e sotme po hapet një faqe e rëndësishme e historisë së rilindjes urbane.
“Besoj që sot ne po hapim një faqe të rëndësishme të historisë së rilindjes urbane, sepse siç e kam përsëritur, kjo leje legalizimi nuk është vetëm dokumenti që e bën shtëpinë tuaj të paprekshëm, por e kthen shtëpinë tuaj në një pasuri, duke iu dhënë mundësi që ta përdorni këtë pasuri për të marrë kredi, për të hapur biznes, për të çuar në shkollë fëmijët. Pra nga një strehë pa leje dhe pa vlerë, sot keni një pronë të patundshme që e njeh shteti dhe çdo bankë që doni të hyni në marrëdhënie. Ky është një ndryshim historik që do të sjellë të mira për ekonominë tonë, dhe të gjithë atyre që kanë derdhur djersë e mund”, tha kryeministri.
Ndërsa për sa i përket pjesës së vetëdeklarimeve Rama ka theksuar se pas datës 1 shkurt nuk ka më tolerime. Të gjithë qytetarët brenda këtij afati duhet të vetëdeklarojnë ndërtimet pa leje. Ai tha se qoftë edhe vendosja e një tulle pa leje do të konsiderohet vepër penale.















