Gjatë punimeve të “Kartës së Adriatikut” në Tiranë, ambasadori serb është larguar në momentin që diskutohej për Kosovën, ndërsa Bosnje Hercegovina ka kundërshtuar anëtarësimin e saj. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi se braktisja nga ambasadori serb në Tiranë i takimit të ministrave të jashtëm të kartës Adriatik A5, është qëndrim i palës serbe, ndërsa shtoi se secili e di mirë se si i sheh raportet me NATO-n.
“Qëndrimi është i palës serbe, unë përfaqësoj interesat e Shqipërisë dhe jo të Serbisë, secili e di mirë si e sheh raportin me NATO. Ne si Shqipëri do dëshironim gjithpërfshirje në nisëm, paradhomë për anëtarësimin e vendeve në NATO. Sa më shpejë ta ndajnë mendjen vendet e rajonit se kjo është rruga e vetme dhe e qëndrueshme për anëtarësim, aq më mirë, në mënyrë që të mos krijohen boshllëqe nga pikpamja e sigurisë. Kosova kishte dorëzuar një kërkesë formale për anëtarësim në nismë, kërkesë e cila u miratua nga të gjithë por jo nga Bosnja. Do të donim që Kosova të ishte partner dhe thjeshtë vëzhguese, por kjo nuk e pengon Kosovën dhe as Serbinë të jenë pjesë në vëzhgim. Unë shpresoj dhe besoj në kapërcimin e kësaj situate”, tha Bushati.
Ministri shtoi më tej se gjatë takimit u diskutua për çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimin rajonal ku Kosova dhe Serbia kishin statusin e vëzhguesit. Duke folur për mediat pas takimit, ministri Bushati deklaroi se, “Kërkesa për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut, u mbështet nga vendet pjesëmarrëse të kartës me përjashtim të Bosnje Hercegovinës, çka nuk e mundëson dot pjesëmarrjen e Kosovës në këtë iniciativë si anëtare për sa kohë nuk ka konsensus unanim”.
Bushati bëri me dije se vitin tjetër drejtimi i A5, i kalon Bosnjes. Në takimin e sotëm të mbajtur në kryeqytetin shqiptar morën pjesë vendet anëtare të Kartës SHBA-Adriatike, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, si dhe dy vendet vëzhguese të saj, Kosova dhe Serbia.
















