Me përfundimin e seancës së fundit në Parlamentin Europian, Joseph Daul, pas 15 vjetësh në shërbim, tallet me burokracinë evropiane dhe me pamundësinë e saj për të ndërtuar një politikë të sajën për mbrojtjen. Megjithatë, ai, në një intervistë për gazetën “Lajmet e fundit të Alsacës” lëshon alarmin për Ballkanin dhe rrezikun e destabilizimit të tij, prej popullit që s’i duron dot oligarkitë
Kalendari hënor qëndron ende i varur në zyrën e tij, ndërsa librat janë zhdukur nga raftet. Pas 15 vjetësh në shërbim të Parlamentit Evropian, i zgjedhuri i UMP Joseph Daul, sindikalist i vjetër bujqësor, që në vitin 2007 u bë president i grupit PPE (konservatorët), po jeton sesionin e tij të fundit në Strasburg. Si e shikoni ju këtë sesion të fundit parlamentar?
Si diçka shumë të keqe. Është një javë tërbimi. Sesioni më i keq në gjithë karrierën 15 vjeçare që jam këtu. Këta 15 vjet të një jete intensive që do të ndërpritet të enjten. Kjo më prek, natyrisht. Por ky është vendimi im, për këtë nuk më vjen keq. Vendimi im ka qenë i vështirë që kur më kërkuan, në tetor të vitit të kaluar, të merrja drejtimin e partisë. Tashmë do të synoj të menaxhoj zgjedhjet evropiane, të gjallëroj mbledhjet e shefave të shteteve të PPE-së, pra do të jem i angazhuar tërësisht. Evropa do të vijojë me një brez tjetër të ri. Ata i bëjnë gjërat ndryshe, natyrisht në një mënyrë tjetër, që nuk do ta kritikoja e nuk do ta bëja kurrë.
Politikanët që kanë dalë nga brezi juaj flasin gjithmonë për pasardhës që kanë qenë me fat se kanë jetuar gjithmonë në një Evropë pa luftë. Cili është komenti juaj për këtë fakt?
Ata shumë shpejt do të ndërgjegjësohen me këtë që po ndodh tani në Ukrainë. Apo edhe në Ballkan. Ballkani është një bombë e vërtetë. Nëse nuk do të rivendoset sundimi i ligjit në këto vende, do të kemi krim të organizuar, oligarki, korrupsioni do të vazhdojë. Është i pakontrollueshëm. Nëse kjo gjendje vazhdon, ne do të kemi një revolucion atje dhe shpresojmë që kjo të mos jetë një luftë. Dhe Obama na e ka thënë shumë qartë në fund të marsit, kur ai erdhi në Bruksel: Ballkani është problemi i Evropës, jo i Shteteve të Bashkuara.
Ju erdhët në Parlament menjëherë pas përfundimit të konfliktit jugosllav. Evropa tani duket më e pajisur për t’iu përgjigjur krizave të tilla?
Jo. Ajo që ne duam është një Evropë e paqes. Dhe për të siguruar paqen, ne kemi nevojë për një Evropë të mbrojtjes. Dhe këtë ne nuk e kemi tani për tani. Për arsye historike, gjermanët nuk duan të lëvizin në këtë pikë.
Ngadalësia në çështjet kryesore, nuk është saktësisht arsyeja pse njerëzit janë tërhequr nga Evropa?
Unë besoj më tepër se ata nuk besojnë më në këtë Evropë, sepse ata i gënjejnë, u thonë se deficitet, pagat, se çdo gjë që është e gabuar, nuk është për shkak të Evropës! Kur dëgjoj broçkulla si ato që ka thënë Laurent Wauquiez (UMP) që Evropa duhet të kthehet te gjashtëshja … Unë nuk e di se ku është shkolluar ai, por e di që kjo është dramatike dhe e rrezikshme të thuash gjëra të tilla si kjo.
Bashkimi Evropian kishte 15 shtete anëtare, kur erdhët ju, sot ai ka 27 …
Me shtetet anëtare që u bashkuan në vitin 2004, është një kënaqësi që të punosh me njerëz të tillë. Ata kanë një përulësi të madhe, nuk janë agresivë. Të gjithë kanë pasur një histori shumë të komplikuar nën komunizëm. E respektojnë shumë Evropën dhe nuk respektohen aq sa duhet nga ne. Isha unë ai që vendosa që një i zgjedhur nga Lindja të arrinte një pozitë të lartë në Parlamentin Evropian! (është fjala për polakun e PPE, Jerzy Buzek, 2009) Na duhej ky imazh. Dhe unë jam shumë krenar për këtë. Ne nuk dimë aq sa duhet për fqinjët tanë në lindje. Unë shkoj shpesh atje. Por nëse unë kam ndonjë keqardhje, është fakti se ne nuk kemi biseduar aq sa duhet me Putinin. Ne e kemi injoruar këtë dialog dhe tani ne jemi shumë të mërzitur nga kjo. Unë nuk e di me siguri nëse kjo do t’i kishte shërbyer një qëllimi të mirë, por do të duhej të ishim ulur rreth tavolinës.
Një tjetër keqardhje?
Ne nuk kemi bërë aq sa duhet për të siguruar paqen, as edhe për të ndihmuar të varfrit në botë. Ne jemi donatorët më të mëdhenj të ndihmës, por ne kemi nevojë për helikopterët e Obamës dhe Putinit për të shpërndarë këtë ndihmë…
Një takim që ju ka mbetur në mendje?
Takimi me Obamën, natyrisht. Por ai që më ka goditur më shumë mua ishte takimi me Putinin, para katër vjetësh. Duhej të ishte një çerek ore por u deshën dy orë e gjysmë. Ai kishte shumë pyetje rreth Evropës. Ai donte të dinte se si t’ia bënte për të ndërtuar Federatën e tij të madhe ruse. Ne të gjithë qeshëm me të, por sapo ai iku!… (Qesh)
Në udhëtimin tuaj gjigand, nga një fermer, udhëheqës sindikate bujqësore, në një parti Evropiane, në kontaktet me më të mëdhenjtë, si e shikoni ju këtë hap tuajin?
Si sindikalist bujqësor unë isha në Evropë. Madje edhe atëherë asgjë nuk vendosej në Paris. Ne e dinim se duhej të punonim me të gjitha shtetet e tjera dhe kjo ishte e bukur! Dhe atëherë unë gjithmonë zbatoj të njëjtat metoda. Metodat tregtare bujqësore të negociatave funksionojnë kudo!
Ju jeni gjykuar edhe si një mashtrues në negociata …
Oh, një mashtrues … Kur isha i ri kam marrë motoçikletë tim për të shkuar dhe të kontrolluar faturën e peshës nëse përputhej me lopën që kishin shitur. Dhe ndonjëherë edhe një biletë për një lopë s’ishte pak! Këto janë gjëra që mësohen në fushë, në terren. Kjo të bën vigjilent. Dhe pastaj dëgjoj atë që duan njëri apo tjetri dhe vendos. Unë kurrë nuk zemërohem. S’kam pasur asnjëherë konfrontime direkte..















