Blido nisi të luajë në violonçel qysh në moshën 5-vjeçare. Kur mbushi 10 vjeç, u pranua në Akademinë e Muzikës( Hochschule) në Würzburg, në klasën e profesorit të njohur zviceran, Orfeo Mandozzi. Sukseset e muzikantit të ri janë të shumta…
Joel Blido është violonçelisti shqiptaro-gjerman, i cili po mahnit kritikën muzikore me talentin e tij. Sonte në mbrëmje ai do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me koncertin për violonçel nga Dimitri Shostakovich dhe simfoninë nr.4 të Johannes Brahms
“Për herë të parë në Shqipëri, një djalosh i ri supertalent, Joel Blido…”, – kështu shprehet drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni, për violonçelistin e talentuar shqiptaro-gjerman, i cili do të ngjitet sonte në mbrëmje në skenë me koncertin me dy vepra, të kompozitorit rus Dimitri Shostakovich dhe atij gjerman, Johannes Brahm. Shoqëruar nga orkestra e TKOB, nën dirigjimin e maestros Alessandro Cadario.
Joel Blido është vetëm 16 vjeç dhe vazhdon studimet në Akademinë e Muzikës në Wurzburg, Gjermani. Ai ka interpretuar në skenën e Teatrit të Operas së Berlinit dhe koncertin e parë si solist e ka realizuar kur ishte vetëm 10 vjeç.
“Jam shumë i gëzuar që hera e parë është me dirigjentë të mirë, orkestër të mirë, dhe
Koncerti për violonçel nga Shostakovich më pëlqen shumë. Jam i gëzuar se të gjithë shokët që njoh këtu po më dëgjojnë. Gjyshi nuk më ka dëgjuar asnjëherë të luaj”, – është shprehur përpara koncertit Blido, i cili ka lindur në vitin 1998 në Gjermani, nga një nënë shqiptare dhe baba gjerman, i cili pas martese vendosi të marrë mbiemrin e bashkëshortes shqiptare.
E ëma, Fedra Blido është pianiste dhe babai, Stefan Blido (i lindur Dahlbüdding) pianist gjerman. Prindërit janë drejtorë të Shkollës shtetërore të Muzikës në Wertheim, një qytet në jug të Gjermanisë.
Karriera artistike e tij nisi në vitin 2008 me muzikë dhome bashkë me orkestrën “Filarmonia e Re” në Dusendorf.
Blido nisi të luajë në violonçel qysh në moshën 5-vjeçare. Kur mbushi 10 vjeç, u pranua ne Akademinë e Muzikës( Hochschule) në Würzburg, në klasën e profesorit të njohur zviceran, Orfeo Mandozzi. Sukseset e muzikantit të ri janë të shumta; çmime të para në rajon, në Landin Baden-Würtemberg ku jeton, si dhe 4 çmime kombëtare e speciale. Ka marrë pjesë në shumë veprimtari artistike në Gjermani e jashtë saj.
Në shtator të 2011-s, Blido fitoi çmimin special në Konkursin WESPE, të akorduar nga Shoqata Kombëtare e Shtëpive Botuese Muzikore në Gjermani, për interpretimin më të mirë të vitit të një vepre muzikore të shkruar për konkursin “Rinia muzikon”. Në tetor të 2011-s ishte finalist në Konkursin ndërkombëtar “ Paul Hindemith” në Berlin. Më 2013-n iu akordua një çmim special nga Kryesia e Bankave “Sparkasse” të Landit Baden Württemberg, për pjesëmarrjen shumë të suksesshme në konkursin “Rinia muzikon”.
Koncertet e tij janë vlerësuar me entuziazëm nga kritika në shtypin gjerman.
Vitin e shkuar, çelisti i klasës së Orfeo Mandozzit u prezantua në sallën e Filarmonisë së Berlinit, i ftuar nga Prof. David Geringas për të luajtur në koncertin me moton “Beethoven plus…”. Në fund të koncertit, Prof. Geringas e prezantoi Blidon si një çelist të ri, me shumë perspektivë.
Prej vitit 2007, Joeli ka qenë i ftuar i përvitshëm në ciklin e koncerteve “Mjeshtrit e së nesërmes” në Kloster Bronnbach.
Ky koncert përmbyll edhe aktivitetet e muajit qershor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Koncerti Nr. 1 për violonçel nga Dmitri Shostakovich është kompozuar në vitin 1959. Kompozitori e shkroi këtë vepër për mikun e tij, Mstislav Rostropovich, i cili e mësoi përmendësh për katër ditë dhe e interpretoi për herë të parë në 4 tetor 1959, me Orkestrën Simfonike të Leningradit të drejtuar nga Yevgeny Mravinsky në Hollin e Konservatorit të Leningradit. Simfonia Nr. 4 e Johannes Brahms është simfonia e fundit e shkruar prej tij dhe premierën e ka pasur në 25 tetor 1885 në Meinengen, Gjermani.



















