Kësaj here ndryshimi qëndron pikërisht në rrëzimin e dy prej shkronjave, ku shkronja “N” dhe “W” janë rrëzuar dhe poshtë tyre është shkruar mesazhi “No Walls”.
“Newborn” kësaj radhe do të përçojë një mesazh të fortë – kundërshtimin e mureve apo çfarëdolloj ndarjeje që ndodh sot mes njerëzimit.
Idealisti i “Newborn”-it dhe deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Fisnik Ismaili, ka thënë se monumenti çdo vit ndryshon me ngjyrosje, por ai tha së kësaj here është bërë më ndryshe. Ismaili tregon se nga ky monument janë rrëzuar dy shkronjat, “N” dhe “W”, për të përçuar mesazhin që nuk duhet të ketë muri në veriun e Kosovës por edhe askund në botë. Ismaili tha se “No Walls” (Jo mure), do të jetë slogani për këtë vit.
“Këtë vit ideja ka të bëjë me muret, më saktësisht kundër mureve. Ideja quhet “No Walls” dhe ne thjesht po dëshirojmë ta shndërrojmë ‘Newborn’-in në muri dhe i kemi rrëzuar dy prej shkronjave si simbolikë që ne po dëshirojmë të rrëzojmë mure. Me këto mure nënkuptojmë jo vetëm murin në Mitrovicë, por gjitha muret nëpër botë të cilat sot janë bërë aktualitet që po e limitojnë lirinë e lëvizjes, si në SHBA e po ashtu edhe në Evropë e cila po refuzon njerëz, po refuzon refugjatë, Evropa po ndërton mure ndaj Kosovës duke mos i liberalizuar vizat”, ka thënë Ismaili.
Ismaili ka thënë se rrëzimi i këtyre dy shkronjave ka të bëjë me dëshirën për t’i rrëzuar këto mure dhe një botë, e cila nuk ka kufij dhe nuk i limiton njerëzit të lëvizin lirshëm.
Përveç rrëzimit të dy shkronjave “Newborni” është ngjyrosur me ngjyrë hiri dhe janë vendosur disa tjegulla në shkronja.
Përndryshe, më 17 shkurt 2008 ishte zbuluar për herë të parë në Prishtinë obelisku “Newborn”, i cili ishte ide e Fisnik Ismailit. Të parët që i kishin vënë nënshkrimet në të kishin qenë kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, dhe presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, i cili më pas ishte pasuar nga qindra mijëra qytetarë.
“Newborn”-i tashmë i ka bërë 9 vjet dhe brenda kësaj periudhë është ngjyrosur disa herë. Ky obelisk tani më është një prej monumenteve kryesore të kryeqytetit dhe bashkudhëtari më i denjë i pavarësisë.
Monumenti vazhdon të mbetet aty edhe ku ishte prezantuar për herë të parë.
“Newborn” ka fituar shumë çmime ndërkombëtare në lëmin e dizajnit, duke përfshirë edhe çmimin më prestigjioz në botë – “Luanin e Artë”, në Kanë.





















