Ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës sot nuk është mbajtur.
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, tha për KosovaPress, të gjithë mësimdhënësit kanë respektuar grevën një orëshe.
“Informacionet e para i kemi pranuar edhe sot. Ne kemi Këshillin Drejtues në terren dhe ata po sjellin informacione. Informacionet flasin se në përgjithësi, në tërësi mësimdhënësit e Kosovës të arsimit para universitar janë vënë në grevë në orën e parë, pra ora e parë në Kosovë nuk është mbajtur në shenjë të veprimit të përshkallëzuar sindikal”, thotë ai.
Jasharaj pohoi se, më 22 janar do të mbajnë grevë dy orësh, ndërsa më 30 janar grevë një ditore.
Mirëpo, i pyetur se çfarë nëse Qeveria e Kosovës edhe me këto raste nuk do të ndërmerr masa Jasharaj tha se do të shkojnë në grevë të përgjithshme.
“Ne i kemi lënë hapësirë kohore kabinetit qeveritar, kryeministrit, ministrit të financave dhe ministrit Arsim Bajrami që të veprojnë. Nëse ata nuk veprojnë, të enjten më 22 janar është hapi i dytë i veprimit sindikal që nënkupton mos mbajtjen e dy orëve të para të paradites dhe dy orëve të para të pasdites. Nëse edhe atëherë nuk vepron Qeveria për t’i vënë në jetë kërkesat tona që janë legjitime atëherë SBASHK-u, Këshilli Drejtues ka vendosur më 30 janar që është ditë e premte të shkojmë në grevë një ditore që nënkupton që atë ditë nuk do të punohet në asnjë shkollë të arsimit para universitar të Kosovës .Atëherë do të mblidhet përsëri Këshilli Drejtues dhe do të jetë i detyruar fatkeqësisht që të shkojë në hapin më ekstrem që është greva e përgjithshme”, shprehet Jasharaj.
Sipas tij, SBAShK-u, dje më 12 janar ka marrë edhe një letër përkrahëse nga mësimdhënësit e botës, ku tha se këta të fundit i kanë përkrahur në çdo aspekt.















