Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka finalizuar idenë e krijimit të një komisioni “ad-hoc” për verifikimin e marrëveshjes për demarkacionin midis Kosovës e Malit të Zi.
Burime të Top Channel brenda Presidencës kanë bërë të ditur se deri të hënën e ardhshme Jahjaga do të firmosë emërimin e 3 ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët do të rishikojnë të gjitha materialet lidhur me demarkacionin.
Edhe pse Jahjaga po e formon këtë komision në fund të mandatit të saj, ai përkrahet edhe nga Presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi, i cili ditë më parë ka konfirmuar se do t’i japë mbështetje procesit të rishikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Profesori i gjeografisë, Florim Isufi ka bërë thirrje që komisioni i ekspertëve të mos rishikojë vetëm materialet e komisionit shtetëror, por të konsultojë edhe harta të tjera.
“Nëse merret edhe me materiale të tjera të vlefshme, materiale shkencore të publikuara nga institucionet më të besueshme të ish-Jugosllavisë, pres që ai komision, nëse është serioz, ta modifikojë vijën kufitare dhe do ta çojë atë në vendin e duhur”, ka thënë Isufi.
Partitë opozitare nuk kanë ende një qëndrim, nëse do ta mbështesin dhe pranojnë rezultatin e ekspertëve ndërkombëtarë, pasi sipas zëdhënësit të AAK-së, Muharrem Nitaj, opozita ende nuk e di metodologjinë e punës që do të ndjekin ekspertët e huaj.
















