Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se 15 vjet pas çlirimit, Kosova qëndron më e fuqishme se ndonjëherë, duke ndërtuar një të ardhme të sigurt në gjirin e popujve të lirë dhe të barabartë të Evropës.
“Sot shënojmë 15 vjetorin e ditës më të rëndësishme të historisë më të re për Kosovën, ditën kur përfundimisht iu dha fund shtypjes, dhunës dhe gjenocidit dhe ditën kur u hap një kapitull i ri për popullin e Kosovës, një epokë e zhvillimit dhe përparimit për vendin dhe dinjitetit e barazisë ndërmjet qytetarëve, pa dallim”, ka thënë Jahjaga.
“Në këtë ditë, më respekt të thellë kujtojmë të gjithë ata që bënë sakrificën sublime që ne sot të jemi të lirë dhe të pavarur, të gjitha gjeneratat që punuan për lirinë e vendit, që kulmoi me luftën e popullit për çlirim nën udhëheqjen e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës.
Jemi krenarë dhe shprehim falënderim të thellë për angazhimin në Kosovë të burrave dhe grave, të ushtarëve dhe eprorëve të Aleancës Veriatlantike të NATO-s, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe sidomos të ndihmës së pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në misionet e ndryshme në Kosovë. Kosova sot është rrëfim suksesi i përbashkët i të gjithë neve, qytetarëve, i institucioneve dhe i bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në mesazhin e Presidentes.
“Ne po ndërtojmë një shtet qytetar, shtet gjithëpërfshirës, që bazohet në rend dhe sundim të ligjit, një shtet ku të gjithë i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta pa asnjë dallim. Kosova sot është dëshmi e një shoqërie të pjekur, të mundësive të barabarta, të një shoqërie demokratike dhe tolerante, që diversitetin e saj e ka shndërruar në vlerë të saj.