“Mendoj se presidentja mund të kërkojë qartësim kushtetues të rolit të saj në çdo kohë”, tha ambasadorja amerikane Tracey Jacobson
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey A. Jacobson mbështeti vendimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për t’i kërkuar qartësim Gjykatës Kushtetuese lidhur me rolin e saj në formimin e qeverisë së re të Kosovës. Ajo i tha ‘Zërit të Amerikës’ se ky ishte një veprim i përgjegjshëm.
“Mendoj se është plotësisht i duhur. Të gjithë e kemi parë nëpër lajme ditëve të fundit se ka interpretime të ndryshme: Jo neni 84, jo ai 89, si mund të përputhen ato.
Mendoj se është veprim i përgjegjshëm për të kërkuar qartësim nga institucionet e Kosovës të ngarkuara me këtë, në këtë rast Gjykata kushtetuese”, ka thënë ajo. Jacobson u bën thirrje të gjithëve të gjitha partive politike që të respektojnë vendimin e asaj gjykate kur të dalë.
“Thërras po ashtu, udhëheqësit politik dhe këtë e kam bërë edhe personalisht, që tash është koha për një periudhë qetësie, derisa punojmë në atë që është proces demokratik e që ndodhë në shumë vende të botës. Të ecim në rrugë të qetë, të moderuar dhe profesionale”, tha ambasadorja Jacobson.
Në njoftimin e presidentes për vendimin e saj është thënë se kjo “nuk ndërhynë në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve drejt përfundimit të procesit zgjedhor”.
“Besoj se ajo që po bën presidentja, është t’i kërkojë gjykatës kushtetuese qartësim për rolin e saj kushtetues kundruall formimit të qeverisë dhe jo një kërkesë specifike për këto zgjedhje apo rezultatet e këtyre zgjedhjeve.
Mendoj se presidentja mund të kërkojë qartësim kushtetues të rolit të saj në çdo kohë”, tha ambasadorja Jacobson, e cila vizitoi pasdite Qendrën për Numërimin e Votave në Fushë Kosovë afër Prishtinës.
Ajo e cilësoi mbresëlënëse punën në këtë qendër. “Personeli profesional po punon seriozisht, nën kontrollin e duhur. Ka një numër të konsiderueshëm të vëzhguesve, përfshirë edhe personelin e Ambasadës amerikane që është gjithnjë këtu – çdo ditë deri në mesnatë. Mendoj se procesi është shumë i mirë”, tha ajo. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të tetë qershorit, sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të priten brenda dhjetë ditësh.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















